Ramush Tahiri: Shqiptarët Janë Bërë Faktorë në Maqedoni

Kjo krizë erdhi pas akuzave të opozitës se Nikola Gruevski, ish-kryeministri dhe kreu i VMRO DPMNE-së organizoi përgjimin e paligjshëm të mijëra personave, gjë të cilën ai e ka mohuar.

Zgjedhjet në Maqedoni u vlerësuan demokratike ndërsa subjektet politike shqiptare po vlerësohen të jenë vendimmarrëse për krijimin e Qeverisë së re.

Analisti kosovar, njohës i politikës së Maqedonisë, Ramush Tahiri foli të hënën për KALLXO.com për situatën e re politike të krijuar pas rezultateve preliminare.

Këto rezultate panë tkurrje të numrit të deputetëve shqiptarë por Tahiri thotë se fakti që asnjë ngapartitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, nuk fituan në shumicë, i bën partitë shqiptare të jenë faktorë në kalkulimet për qeverinë e ardhshme në Shkup.

“Shqiptarët në Maqedoni janë faktorë ani që kanë më pak deputetë se çdo herë tjetër”, Tahiri për KALLXO.com.

Ai shtoi se nuk pret që kryeministri i deritanishëm, Nikolla Gruevski ta ndërtojë sërish Qeverinë  e Maqedonisë.

“Unë nuk pres që Gruevski do ta ndërtojë qeverinë ani pse ka dy deputetë më shumë se partia e dytë sepse diferenca është shumë e vogël dhe unë nuk pres që VMRO-ja do të gjejë partnerë të koalicionit dhe nuk pres që aleati i deridjeshëm, partia e Ali Ahmetit do të pranojë të hyjë në koalicion me VMRO-në”, deklaroi ai.

Analisti Tahiri tha se janë dy zgjedhje pasi rezultatit zgjedhor për krijimin e Qeverisë të Maqedonisë.

Ramush Tahiri, analist politik. Foto: Facebook
Ramush Tahiri, analist politik. Foto: Facebook

“Zgjidhja është ose një qeveri teknike për një periudhë të caktuar gjashtë mujore apo afërsisht më gjatë derisa të përfundojnë zgjedhjet lokale që janë të parapara për këtë vit në Maqedoni ose që mandatari i parë VMRO ta dorëzojë mandatin dhe qeverinë ta bëjë LSDM-ja”, theksoi Tahiri.

Zgjedhjet në Maqedoni sipas Tahirit kanë pasur disa karakteristika sidomos ndryshimin e raportit mes forcave politike.

“Ka një ngritje të ndikimit dhe numrit të deputetëve të partisë Social Demokrate të Zajevit dhe është evidentuar rënia e fuqisë së kryeministrit aktual Gruevski dhe partisë së tij VMRO”, pohoi ai.

Tahiri tha se është hera e parë që është rrit numri i partive politike shqiptare ndërsa është zvogëluar numri i deputetëve.

“Tash kemi katër parti politike shqiptare dhe forca e deputetëve shqiptare është mbi shpenzuar sepse për të parën herë në histori të parlamentit të Maqedonisë kemi një numër kaq të vogël të deputetëve shqiptarë dhe partia më e madhe shqiptare ka rënë në 10 deputet që gjithashtu asnjëherë nuk ka qenë”, u shpreh analisti Tahiri.

Një ndër karakteristikat e këtyre zgjedhjeve sipas analistit Tahiri është edhe garimi i subjektit të ri politik Rilindja për Besë dhe përçarja e PDSH-së e kryesuar nga Menduh Thaçi.

http://kallxo.com/mbyllen-vendvotimet-rezultatet-e-para-pas-ores-2200/