Pamje nga seanca e e dëshmisë së Fahrudin Radonçiqit - Foto: KALLXO.com

Radonçiq: Nuk kam Pranuar Asnjë Cent nga Kelmendi

Fahrudin Radonçiq, magnati i mediave dhe politikani i njohur nga Bosnja, dëshmoi edhe sot si dëshmitar i Prokurorisë në gjykimin e Naser Kelmendit, i cili akuzohet për krim të organizuar dhe vrasjen e Ramiz Delaliqit në Sarajevë në vitin 2007.

Dëshmitari edhe sot u pyet lidhur me vrasjen e Selver Lekiqit.

Sipas Prokurorisë, vrasja e Lekiqit, që ishte një njeri i afërt me Radonçiqin, ishte një prej motiveve të vrasjes së Ramiz Delaliqit.

Megjithatë, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Andrew Hughes, Radonçiq mohoi këto pretendime.

“Selver Lekiqin e ka vrarë një person i quajtur Qosoviq, i cili është tani duke vuajtur burgimin me dënim të gjatë dhe Delaliq dhe Sariq në atë kohë kanë dhënë ndihmën e parë dhe janë munduar t’i japin ndihmën e parë Lekiciq dhe e kanë vendosur në automjetin e ndihmës së shpejtë”, tha Radonçiq.

Po ashtu, dëshmitari tha se e pas vrasjes ishte takuar me të afërmin e Selver Lekiqit, Ekrem Lekiq dhe kishin biseduar se pse i riu Qosoviq e kishte qëlluar në kokë Selverin.

Përsëri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, Radonçiq mohoi se Delaliq të ishte konsideruar përgjegjës për këtë vrasje.

“Në atë kohë të gjithë kanë thënë se Delaliq është munduar ta shpëtojë Selver Lekiqin deri sa ai po humbiste gjak”, tha Radonçiq.

Fahrudin Radonçiq u ndje i ofenduar kur u pyet nga prokurori Hughes nëse ai kishte paguar për vrasjen e Ramiz Delaliqit.

“Jo dhe kjo është një pyetje ofenduese për mua”, u përgjigj dëshmitari.

Radonçiq gjithashtu mohoi se i njihte personat Strahimja Rasheta dhe Milan Mitiq, që sipas Prokurorisë ishin paguar për të vrarë Delaliqin.

Prokurori Hughes e pyeti përsëri dëshmitarin për deklaratat e tij se Delaliq ishte vrarë nga mafia shtetërore boshnjake që i kishte dhënë në seancën paraprake, teksa tregoi edhe si ka ardhur në këtë konkludim.

“Këtë konkluzion e bazoj në bazë të intervistave të tij para se të vritej”, tha Radonçiq.

Dëshmitari më tej tha se nuk e dinte se a e kishte hetuar Prokuroria në atë drejtim për vrasjen e Delaliqit, por përmendi prokurorin Dubravko Qampara duke thënë se ai është munduar ta drejtojë hetimin ndaj tij dhe Kelmendit.

“Ditën kur unë e kam paraqitur kandidaturën për kryetar të Bosnjës dhe Hercegovinës Hughes e ka lexuar aktakuzën në Prishtinë, që mund të jetë një koincidencë“, tha dëshmitari.

Radonçiq tha se një prokuror është dënuar për përzierje të paautorizuar në rastin e tij.

“Qampara gjithashtu ka marrë dënimin nga Komiteti i Lartë gjyqësor dhe Prokuroria  që është përzier në këtë çështje. Vëllai i tij është Ministër i Punëve të Brendshme, një kushëri i tij i afërt është kryeministri shtetëror dhe emri i tij është Denis Zvisdiq dhe ata më shohin si një rival që duan ta diskreditojnë”, tha Radonçiq.

Po ashtu, dëshmitari tha se prokurori Qampara në Bosnjë është dënuar me 30 % të pagës së tij për tre muaj për ndërhyrje në procesin që po zhvillohet ndaj tij në Bosnje.

Radonçiq në Bosnje po dyshohet se ka tentuar të ndikojë në dëshmitaren Azra Sariq, e cila ishte dëshmitare në gjykimin e Kelmendit.

Radonçiq u pyet nga prokurori Hughes se a mund të flasë në mënyrë më specifike kur përmend mafinë shtetërore boshnjake, por ai dha një arsye pse s’mund ta bëjë këtë.

“Pas dëshmisë time të premten partia SDA me të cilën jam në koalicion e ka publikuar një pamflet të rëndë kundër meje dhe sot kanë thënë se do të shohin se çfarë masa do të marrin lidhur me dëshminë time. Nuk dua që  me përgjigjen time ta komplikoj situatën politike në Bosnjë-Hercegovinë”, tha Radonçiq.

Kryetar i partisë SDA është Bakir Izetbegoviq, djali i Alija Izetbegoviqit, ish-kryetari i ndjerë i Bosnjës. Radonciq tha se dy herë ishte kundërkandidat i Bakir Izetbegoviqit në zgjedhjet në Bosnjë dhe dy herë humbi për një numër të vogël të votave.

I pyetur se kur thoshte mafia shtetërore në Bosnjë a mendonte për Bakir Izetbegoviqin, Radonçiq dha këtë përgjigje: “Nuk mund të përgjigjem në këtë lloj të pyetjeve, janë sugjestive dhe nuk i bëjnë mirë koalicionit tim politik”.

Radonçiq më pas u përgjigj edhe në një pyetje tjetër, të cilën fillimisht e cilësoi provokuese: “A ju ka dhënë Naser Kelmendi ndonjëherë para për fushatën tuaj?”.

“Kjo është pyetje e pavend. Prokurori po mundohet të zvogëlojë kredibilitetin tim duke parashtruar pyetje provokuese dhe tendencioze që nuk kanë ndonjë bazë në arsyen e shëndoshë”, tha Radonçiq.

Ndonëse e cilësoi të tillë pyetjen ai u përgjigj pasi ashtu iu kërkua nga kryetarja e trupit gjykues.

“Natyrisht se jo dhe të gjitha financat kontrollohen nga këshilli jonë qendror dhe çdo cent i fushatës kontrollohet”, tha Radonçiq.

Fahrudin Radonçiq pasdite ka filluar të merret në pyetje nga avokati i Kelmendit, Besnik Berisha.