Qesharake? A ishte penallti prekja e topit me dorë nga Ivan Perishiq?

Ekspertët e futbollit kanë dhënë opinionet e tyre për penalltinë e akorduar sot në favor të Francës në ndeshjen finale të kupës së botës ndaj Kroacisë.

Nuk ka dyshim se ky vendim i referit argjentinas Pitella do të mbetet ndër momentet më kontroverse të këtij kampionati.

Franca kaloi në epërsi 2:1 ndaj Kroacisë në pjesën e parë falë rishikimit në video të një veprimi të mesfushorit kroat Ivan Perishiq.

Referi kaloi shumë kohë duke u konsultuar me videon skaj fushës.

A ishte lojë e qëllimshme me dorë? A ka pasur Perishiq kohë të mjaftueshme për ta lëvizur dorën nga drejtimi i topit?

Të ftuar në studion e BBC-së, ekspertët e futbollit dhanë mendimet e tyre:

Ish-sulmuesi anglez, Alan Shearer: “Nuk ka mundësi që një vendim i tillë qesharak ta vendosë këtë finale. Këtë nuk e meriton një turne çfarë e patëm”.

“Kroacia ka qenë brilante dhe ata e humbën lojën për shkak të një gjuajtjeje të lirë e cila nuk ishte gjuajtje e lirë dhe një penalltie që nuk ishte penallti”.

Ish-mbrojtësi i Anglisë, Rio Ferdinand: “Nuk mund të themi 100% se ka qenë penallti dhe se ai e preku topin me qëllim.

Ka qenë shumë afër për të reaguar. Fakti që referit iu desh shumë kohë për ta marrë vendimin, kjo tregon që ai nuk ishte i sigurt”.

Ish përzgjedhësi i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann: “Kur nuk je i sigurt, mos e jep penalltinë. Vendimi ishte i gabuar”.

Ish-mesfushori anglez, Chris Waddle: “Mendoj se ishte penallti. Unë do ta referoja. Perishiq e ndali topin i cili po shkonte drejt dorës së tij”.