Përballje e gjigandëve, sonte në Paris luhet finalja e Ligës së Kampionëve

Sonte në Paris, Liverpool do të kërkojë ta fitojë çmimin më prestigjioz të futbollit evropian të klubeve për herë të shtatë, kur do të përballet Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve.

Një numër prej deri në 60,000 tifozë të Liverpool-it – shumica pre tyre pa bileta – pritet të jenë në kryeqytetin francez ndërkohë që Reds-at (tifozët e Liverpulit) e Jurgen Klopp do të përpiqen ta përmbyllin vitin me fitore të trefishtë, FA Cup, Carabao Cup dhe Champions League në ndeshjen e tyre të 63-të dhe të fundit të sezonit 2021-2022.

Megjithatë, Real Madridi është fitues rekord 13 herë dhe kryetrajneri i tyre italian Carlo Ancelotti po kërkon ta fitojë këtë garë për herë të katërt – më së shumti nga çdo trajner në historinë e turneut – pasi e ka fituar me AC Milan (2002-03, 2006-07 ) dhe Real (2013-14).

Liverpool e ka siguruar finalen e tretë të Ligës së Kampionëve në pesë sezone pas një zhgënjimi nga humbja tejet e ngushtë nga Manchester City në garën për titull në Premier League fundjavën e kaluar.

“Të gjithë jemi në humor të mirë. Nëse jeni të shëndetshëm, siç janë djemtë tani, e padyshim që janë, jeta ta jep mundësinë përsëri dhe në këtë rast është finalja e Ligës së Kampionëve,” tha trajneri i Reds, Klopp.

Tutje, kryetrajneri gjerman shtoi: “Tri finale në pesë vjet janë të jashtëzakonshme sepse ky kompeticion është vërtet i vështirë. Është vërtet i veçantë. Me të vërtetë duam t’i japim një ecuri të duhur dhe do të shohim se cfarë do të ndodhë të shtunën.”

Në anën tjetër Reali po tenton një sukses të dyfishtë, në ligën spanjolle dhe në atë evropiane pasi javë më parë u kurorëzua kampion i Spanjës.

Duke e udhëhequr Realin drejt titullit të 35-të të La Ligës muajin e kaluar, Ancelotti u bë trajneri i parë që e ka fituar ligën në të pesë ligat kryesore të Evropës.

“Dy skuadra të mëdha do të përballen me njëra-tjetrën dhe ajo me më shumë guxim dhe personalitet do të fitojë në fund”, tha ish-trajneri i Chelseat, Ancelotti.

Përballje e gjigandëve 

Finalja e shumëpritur e së shtunës i bën bashkë dy superklubet e futbollit evropian.

Ndërkohë që Real Madridi synon ta fitojë këtë finale për herë të 14-të, që do të ishte dy herë më shumë se çdo klub tjetër, një fitore e Liverpool-it do ta barazonte atë me AC Milan (7) në vendin e dytë në listën e kampionëve të përgjithshëm.

Sulmuesi senegalez i Liverpoolit, Sadio Mane dhe sulmuesi francez i Real Madridit, Karim Benzema, janë të dy në garë për ta fituar Topin e Artë të këtij viti, i cili i jepet lojtarit më të mirë në botë.

Benzema, 34 vjeç, ka shënuar 15 gola në Evropë këtë sezon – duke përfshirë dy hat-tricka – dhe është golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve në sezonin 2021-22, ndërsa Mane vulosi talentine tij  në triumfin e parë të vendit të tij në Kupën e Kombeve të Afrikës në muajin shkurt.

Mane gjithashtu e ndihmoi Senegalin të kualifikohej në Kupën e Botës 2022, me 30-vjeçarin që fitoi dy kupa vendase me Liverpool-in këtë sezon. I lidhur me një largim nga Reds këtë verë, Mane tha se do të japë një përgjigje “speciale” për të ardhmen e tij pas finales.

Mohamed Salah tha në fillim të këtij muaji se Liverpool kishte “një rezultat për ta vendosur” me Realin pasi humbi 3-1 nga gjigantët spanjollë në finalen e vitit 2018 në Kiev.

Katër vjet më parë, ylli egjiptian u largua me lot nga fusha pas një lëndimi të rëndë në një përballje me mbrojtësin e atëhershëm të Realit, Sergio Ramos. “Unë dua të luaj kundër tyre dhe shpresoj të fitoj edhe prej tyre”, shtoi Salah, i cili ende nuk e ka zgjatur kontratën e tij që i skadon në qershor të vitit 2023.

Kjo është hera e tretë që Liverpool dhe Real takohen në finale.

Sikurse edhe në vitin 2018, të dyja klubet u takuan në vitin 1981 kur Liverpool doli fitues me rezultat 1-0 në Paris. Dyzet e një vjet më vonë, a do të përsëritet historia?

Katër humbje por një vend në finale

Real Madridi ka humbur katër herë në 12 ndeshje të Ligës së Kampionëve këtë sezon – Liverpool ka humbur tri nga 62 ndeshje në të gjitha garat në sezonin 2021-2022 – megjithatë kampionët e Spanjës e kanë kaluar në finalen e tyre të 17-të në kompeticion.

Ata i kanë mposhtur rivalët e Liverpool-it në Premier League, Chelsea-n dhe Manchester City-n mirëpo pësuan një humbje befasuese në shtëpi ndaj Sheriff Tiraspol të Moldavisë në fazën e grupeve shtatorin e kaluar.

Reali u kthye nga humnera në gjysmëfinalen e tyre kundër Manchester Cityt.

Benzema, i cili ka shënuar shtatë gola në Champions League kundër skuadrave angleze këtë sezon, më pas e dërgoi skuadrën e Ancelottit në finalen e Parisit me një penallti.

Parisi zgjedhet për natën finale pas largimit të Shën Petersburgut të Rusisë si nikoqir i finales

Finalja e futbollit evropian të klubeve evropiane, e cila pritet të ndiqet nga një audiencë televizive globale deri në 400 milionë, po mbahet në Paris pasi Rusia u largua nga ky eveniment pas pushtimit të vendit të Ukrainës.

Ishte planifikuar të luhej në Shën Petersburg, por UEFA njoftoi në shkurt se do ta zhvendosë ndeshjen finale në Stade de France në Paris.

Parisit i janë dhënë vetëm tre muaj kohë për t’u përgatitur, shumë më pak se 18-të muajt e zakonshëm që u jipen qyteteve nikoqire të Finalës së Ligës së Kampionëve.

Është viti i tretë me radhë që vendi i finales së Ligës së Kampionëve është zhvendosur – dy të mëparshmet për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Hera e fundit që Stade de France e ka organizuar finalen e Ligës së Kampionëve  ishte në vitin 2006 kur Barcelona mposhti Arsenalin.

Tifozët e Liverpool-it e kanë veshur Parisin me ngjyrë të kuqe

Autoritetet franceze janë bërë gati për një fluks prej 60,000 tifozësh të Liverpool-it, ndërkohqë që Parisi po përgatitet për finalen e Ligës së Kampionëve.

Shumica kanë udhëtuar pa biletë për ndeshjen me vetura, tren, avion dhe varka për të shijuar atmosferën e natës finale.

Rreth 7,000 policë do të jenë në detyrë, ndërsa autoritetet kanë përgatitur një zonë të madhe tifozësh për deri në 45,000 tifozë të Liverpool-it përgjatë Cours de Vincennes, rrugës kryesore në lindje të Parisit, 10 km larg stadiumit.

Do të ketë 75,000 spektatorë brenda Stade de France, por vetëm 20,000 bileta janë vënë në dispozicion për secilën palë, me 12,000 të tjera të ofruara për shitje për tifozët në mbarë botën.

23,000 biletat e mbetura u janë shpërndarë shoqatave kombëtare, partnerëve tregtarë, transmetuesve dhe programit zyrtar të mikpritjes së UEFA-s.

Më shumë se një e pesta e alokimit të biletave të Liverpool-it ishte për bileta që kushtonin midis 480 dhe 680 eurove.

Aeroporti i Liverpool John Lennon ka vendosur 34 fluturime shtesë për t’i transportuar rreth 9,000 mbështetës në Paris të premten dhe të shtunën, me 13 fluturime për tifozët që janë nisur dje, e premte, dhe 21 fluturime që janë nisur sot, të shtunën, në mëngjes.

Megjithatë, tifozët që udhëtonin drejt Francës u përballën me radhë të gjata në Portin e Doverit.

Disa u ankuan për “kaos” pasi mbetën të ngujuar në radhët e gjata me orë të tëra pranë familjeve të shumta britanike që ishin nisur për pushime vikendi në Paris./BBC