Sonte mbahet nata finale e ‘Eurovizion’, pritjet nga Albina&Familja Kelmendi

Përfaqësuesja e Shqipërisë në “Eurovizion”, Albina Kelmendi – Albina & Familja Kelmendi me këngën “Duje” synon sot triumfin në natën finale të festivalit evropian të këngës, “Eurovizion”.

Albina&Familja Kelmendi pati një prezantim të shkëlqyer në gjysmëfinalen e dytë më 11 maj (2023) në “Eurovisionit”, duke marrë vlerësimet të larta nga kritika.

Prezantim ky që u pëlqye dhe u vlerësua edhe nga audienca në Kosovë.

Përmes interpretimin, skenografisë, tekstit e muzikës, Albina&Familja Kelmendi ishte si zjarr në skenën e “Eurovizioni”, ishin disa nga vlerësimet për paraqitjen e përfaqësuese së Shqipërisë në këtë festival.

Të njëjtin sukses të përfaqësueses së Shqipërisë, presin sot krijuesit dhe kompozitorët kosovarë. Ata kërkojnë që publiku sa më shumë të votoj këngën “Duje”.

Ata thanë për KALLXO.com se performanca e Albina Kelemdit dhe familjes së saj me këngën, “Duje”, pavarësisht konkurrencës dhe votimeve ‘politike’ që karakterizojnë këtë festival, mund të ketë sukses sonte në finale.

Poetja dhe tekst shkruesja, Naime Beqiri tha për KALLXO.com se “Duje” është këngë që të ngjit që në takimin e parë.

Ajo thotë se është e mishëruar me mënyrën e këndimit, jehonën e zërit, mesazhin që thuhet vetë me një klithmë (pa fjalë), siç thotë ajo, “me një eho autentike si trajtë e zanave të malit në baladat e moçme shqiptare”.

Poetja Beqiri thotë se kënga ‘Duje” e interpretuar nga Albina dhe Familja Kelmendi në “Eurovizion” barti magji që nuk përsëritet shpesh: muzika, mesazhi e mbi të gjitha interpretimi.

Sipas saj, Kelmendët ishin si zjarr në skenën e “Eurovizinit”.

“Në këtë kohë kur në gjendje civile raportohet se më shumë ka divorce se sa martesa, e në jetën globale ka aq pak dashuri e aq shumë urrejtje e ndarje, mesazhi i kësaj kënge e ngrit në piedestal dashurinë, familjen. Dhe kur kjo interpretohet nga një familje që dashurinë e kanë kult, i shton sinqeritetin veprës. Fundja, veprën e bën më ornamentale sinqeriteti”-thotë ajo.

Pavarësisht skepticizmit ndaj “Eurovizionit”, Beqiri thotë se këtë viti në këtë festival janë prezantuar këngë të realizuar dhe Albina Kelmendin e pret një konkurrencë e fortë.

“Çka pres?! I druhem lobimit sllav siҁ jemi mësuar të shohim të vitet e kaluara e që këngës së Florent Boshnjakut e Rona Nishliut nuk arriti t’i bëjnë keq në Azerbejxhan. Triumfoi kënga e mirë. Pres paraqitje madhështore nga Albina dhe Kelmendët. Lutem që fati të jetë në anën tonë. Krejt t’mirat e tjera i kanë”- thotë poetja Beriqi.

Ndërkaq, kantautori Naser Dula tha për KALLXO.com se me interpretimin e lartë artistik që patën në gjysmëfinalen e “Euroviziont”, Familja Kelmendi tregoi se është afër triumfit në këtë festival.

“Janë afër fitores, do jetë pak vështirë për shkak të konkurrencës së solisteve tjerë nga shtetet më të zhvilluara të artit muzikor me një kulturë të lashtë shekullore. Por mendoj që në këtë pikë ku është familja Kelmendi, janë shumë fituese, të shpresojmë në finale” – tha ai.

Kurse, kompozitori Valton Beqiri tha për KALLXO.com se shpreson që Albina dhe Familja Kemendi të hynë në mesin e 10 këngëve më të mira të “Eurovizionit” të sivjetmë.

“Albina & Familja Kelmendi dhanë maksimumin në skenë, por duhet kujdes me këngët që dëshmojnë afektin e folklorit tonë, me qëllim që kënga të jetë e pëlqyer dhe tërheqëse edhe për audiencën e gjerë evropiane, dhe të kemi edhe votat e tyre, e posaçërisht një vlerësim sa më të denjët të jurisë profesionale. Këtu që pres që kënga të rangohet mbi mesin ranglistës”- tha ai.

Përfaqësuesja e Shqipërisë do të këndojë e 10-ta me radhë sonte në natën filane të ‘Eurovozionit’ që nisë në ora 21:00.

Nata finale e ‘Eurovizion 2023” mbahet në “Liverpool Arena” në Liverpul të Britanisë së Madhe.