‘PyeongChang' në Qendër të Prishtinës

Qytetarët e Kryeqytetit po shohin dhe praktikojnë disa nga sportet olimpike dimërore në kuadër të Festivalit Olimpik ‘PyeongChang’ në sheshet kryesore në Prishtinë.

Në kohën e mbajtjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut ku Kosova po përfaqësohet nga skijatori Albin Tahiri, në vend kanë filluar aktivitetet e Komitetit Olimpik në përcjellje të këtyre garave.

Në hapjen e këtij festivali dhe Panairit të Sportit 2018, Nënkryetari i Komitetit Olimpik, Memli Krasniqi u shpreh krenar për përfaqësuesin e Kosovës në PyeongChang.

“Në vigjilje të 10 vjetorit të Pavarësisë ne po bëjmë edhe diçka për herë të parë, për herë të parë po marrim pjesë në lojërat olimpike dimërore në Kore të Jugut, ku skijatori ynë Albin Tahiri po na përfaqëson me dinjitet. Po ashtu me organizimin e këtij festivali po i sjellim disa prej sporteve dimërore më të popullarizuara për qytetarët e Prishtinës”, tha Krasniqi.

Përfaqësuesi i UNDP në Kosovë, Andreë Russell po ashtu bëri thirrje për ti dhënë rëndësi sportit dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Është kënaqësi të jemi këtu për të festuar jo vetëm shpirtin olimpik por edhe faktin që Kosova është pjesë e një lëvizje globale për shëndet të mirë për edukim të mirë, për barazi për të gjithë në partneritet me pjesën tjetër të botës. Shpresoj që të gjithë ju të rinjtë të keni shëndet të mirë dhe do të doja t’ju shoh të gjithë juve në Lojërat Olimpike”, tha ai.

Në këtë hapje prezent ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Ministri i Kulturës,Rinisë dhe Sportit , Kujtim Gashi.

Veseli duke shprehur edhe përkrahjen e tij për sportistin Tahiri tha se do të përkrahin sportin në përgjithësi.

“Jemi duke arritur shumë, jemi duke ecur përpara dhe do ta çojmë këtë vend edhe më shumë përpara. Do ta vazhdojmë përkrahjen e sportit. Shteti jonë, shteti juaj, Kosova, është i shenjtë. Duhet ta duam Kosovën edhe më shumë. Albinit (Tahirit) që është në Lojërat Olimpike, i dëshirojmë shumë suksese dhe urojmë që të bëhet kampion”, tha Veseli.

Ndërkaq, Ministri Gashi ka konkretizuar planet për mbështetjen institucionale të sportit.

“Mbështetjen e fuqishme për gjithë sportistët, për të gjitha sportet, MKRS ka ndërmarrë disa veprime të rëndësishme për t’i mbështetur sportistët dhe sportin. I bëj thirrje gjithë komunitetit të biznesit që t’i mbështesin sportistët dhe sportin”, tha Gashi.

Një ekip olimpik Kosovar momentalisht gjenden në Kore të Jugut për pjesëmarrje në garat olimpike, ndërkaq për mbështetjen e Albin Tahiri atje shkoi edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

http://kallxo.com/ekipi-olimpik-kosovar-ne-kore-publikohet-orari-garave-te-albin-tahirit/