Protestë Paralelisht me Zgjedhjen e Presidentit

Përderisa brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës të premten në ora 11:00 pritet të zhvillohet seanca për zgjedhjen e Presidentit të vendit, përjashta do të ketë protestë.

Thirrjen për protestë për të kundërshtuar apo edhe për të penguar zgjedhjen e të parit të shtetit e kanë bërë liderët e tri partive opozitare në një konferencë për media, të mbajtur sonte në ora 20:30, afër tendave ku po qëndrojnë qytetarë protestues.

“Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marrë vendim skandaloz përmes të cilit po do që t’ia mundësojë Hashim Thaçit që ta bëjë puçin institucional në mënyrë që kapjen e shtetit ta zgjerojnë dhe ta thellojnë deri në majën e tij, pra deri në presidencë”, tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymer.

Në këtë konferencë për media, e cila u mbajt në shesh, aty ku dje janë vendosur tendat dhe po qëndrojnë protestuesit, Ymeri tregoi edhe pasojat në rast se lideri i PDK-së zgjidhet president.

“Po ashtu, duhet ta kemi parasysh që zgjedhja e Thaçit president garantohet nga votat e Listës Serbe, që nënkupton që nëse deri sot në Qeverinë e Kosovës kemi pasur përfaqësues të Qeverisë në Beograd, që prej nesër, nëse zgjidhet Thaçi president do ta kemi një njeri në maje të shtetit që do të jetë vazhdimisht i kushtëzuar nga vullneti politik i Aleksandër Vuçiqit në Beograd”, tha kreu i LVV-së.

Ndërsa kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se kandidati për president po përdorë gjuhë kërcënuese ndaj qytetarëve, por nuk specifikoi deklaratën.

“Në vend që sot të bisedohej si të dilet nga kriza politike në këtë vend, ata shkojnë dhe në mënyrë të paskrupullt përgatisin skenarët e përzgjedhjes së kandidatit për president. Po ashtu, kishte edhe deklarata kërcënuese nga deklarimi i tij. Ai përsëri në vazhdën e atyre deklarimeve vazhdoi me gjuhën kërcënuese ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Limaj.

E i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ftoi të gjithë qytetarët të premten në shesh, në mënyrë që ta thonë fjalën e tyre.

“I vetmi kuorum legjitim që e ka Kosova sot, janë qytetarët, është sovrani. Ne me të drejtë i ftojmë të premten pikërisht në të njëjtën orë, në orën e lajmëruar për seancë në orën 11:00, të premten, që të bashkohen këtu të gjithë në mënyrë që sovrani që është ma legjitim i vendit, populli ta thotë fjalën jo për një kontrabandim të një presidenti që fare s’mundet me qenë legjitim nga një Parlament që e ka humbë kredibilitetin e vet”, theksoi Haradinaj.