Foto: RTV 21
Protestë në ditën e punëtorëve
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të mbajë sot një protestë me një varg kërkesash për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës u bën thirrje të gjithë atyre që përballen me mohim të së drejtës për punë, mohim për pagë të dinjitetshme, siguri dhe shëndet në punë – t‘i bashkohen protestës gjatë Ditës Ndërkombëtare të Punës – 1 Maj”, njoftohet në apelin e BSPK-së.
Sipas BSPK-së, qytetarët në Kosovë përballen me përqindje tejet të lartë papunësie dhe në të njëjtën kohë punëtorët me shkelje të të drejtave, diskriminim në pagë, mungesë të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe moszbatim të ligjeve në përgjithësi.
Sipas sindikalistëve shumë punëtor/e punojnë pa kontrata pune, me orare të stërzgjatura dhe me pamundësi pushimi vjetor apo në festa të caktuara, shumë punëtorë e punëtore lëndohen apo vdesin në vendin e punës dhe askush nuk merr përgjegjësi, shumë punëtore diskriminohen nga pushimi i lehonisë e shumë e shumë padrejtësi të tjera.
Protestës së thirrur nga BSPK-ja i janë përgjigjur pozitivisht të gjitha sindikatat e punëtorëve, por edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur.
Protesta do të fillojë në orën 11:00 te Sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar drejt Teatrit Kombëtar, te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.