Protesta në Mitrovicën e Veriut, serbët ankohen për ‘dhunë’ nga Policia e Kosovës

Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut për të protestuar kundër aksionit të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, të ndërmarrë të martën kudnër një rrjeti kontrabanduesish në disa lokacione nëpër Kosovë.

Protestuesit janë thirrur në shesh nga Lista Serbe.

“Falënderojmë qytetarët e Zubin Potokut për rezistencën e djeshme edhe pse janë rrahur brutalisht, dhe ata të Zveçanit që kanë treguar unitet në qëndrimet e tyre. Dje forcat e caktuara kanë përdorë dhunë duke dashur të përulin popullin serb në emër të drejtësisë”, tha Rakiq para masës së protestuesve.

“Kjo është turp për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ku janë këtu liria dhe të drejtat e barabarta? Si askujt nuk i bie ndërmend që ta dënojë dhunën”, tha ai.

“Kërkojmë lirinë, mbrojtjen dhe drejtësinë. Dje, kriminelët arrogantë dhe qëllimkeq, të fshehur si policë, kanë përhapur urrejtje dhe dhunë ndaj popullit duarthatë. Kanë goditur, shkatërruar dhe shembur, kanë shtënë kinse po vendosin rend duke e satanizuar veriun, në mënyrë që ta pushtojnë më lehtë. Kjo sjellje është e turpshme për shqiptarët dhe e turpshme për bashkësinë ndërkombëtare, e cila i promovon të drejtat dhe liritë e njeriut”, ka thënë Rakiq.

Ndërsa Kryetar i Zubin Potokut, Sërgjan Vuloviq, tha se sirenat e alarmit që u aktivizuan dje, i kujtojnë atij kohën e para 20 viteve.

“Dje për të disatën herë na kanë zgjuar sirenat të cilat na kanë përkujtuar bombardimet e NATO-s 20 vjet më parë. Aq shumë dhunë është përdorë sa që nuk kam fjalë për të shprehë”, tha ai.

“Deri më tani kemi pasë shumë protesta por nuk kemi përjetu brutalitet të tillë. Fakti që është rrahur një person i cili ka qenë shurdhmemec, kjo tregon gjithçka. Dje kanë rrahur edhe administratorin e UNMIKU-t nga Rusia”, tha ai duke iu referuar një shtetasi rus i cili ishte arrestuar pasi është vënë në mbrojtje të barrikadave të vendosura nga serbët në rrogën drejt Zubin Potokut.

Aksioni i djeshëm rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete jo ligjore.

Siç kanë njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, 4 zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta gjatë zbatimit të detyrave.

Operacioni policor ka përfshirë disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.

“Në mesin e të dyshuarve kemi eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, kemi pjesëtarë të nacionalitetit serb, pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar, të atij boshnjak dhe kështu me radhë. Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë – nuk janë zyrtarë – të cilët i kanë kryer veprimet e tyre, të cilat dyshohet se janë kontrabandim i mallrave dhe për vepra të ngjashme”, ka thënë prokurori, Sylë Hoxha.

Aksioni i policisë ka hasur në kundërshtimin e një pjese të popullatës në veri. Gjatë aksionit, janë plagosur dy dhe lënduar edhe tre pjesëtarë të policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur organet e rendit.