
Vetura e Listës Serbe shihet në Prishtinë më targa RKS, ndërsa në Zveçan pa targa fare | KALLXO.com
Goran Rakiq në Prishtinë me targa RKS, në Zveçan pa targa fare
Vetura me të cilën kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq erdhi të martën në Prishtinë për t’i takuar emisarët e ShBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, ishte me targa të Republikës së Kosovës.
Vetura ishte e regjistruar në regjionin e Mitrovicës pasi kishte numrat hyrës 02.
Mirëpo, pas takimit në Prishtinë, kryetari i Listës Serbe ka udhëtuar për në Zveçan, ku po vazhdon protesta e serbëve lokalë edhe sot.
Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në Zveçan ka parë që vetura në të cilën gjendej Goran Rakiq nuk posedonte fare targa dhe ishte vetura e njëjtë që disa orë më parë ishte në Prishtinë.
Pas përfundimit të takimit me emisarët në zyrën e BE-së në Prishtinë, Rakiq nuk u deklarua para mediave.
Burimet e KALLXO.com konfirmojnë se vetura është në pronësi të subjektit politik Lista Serbe.
KALLXO.com ka dërguar pyetje tek Lista Serbe në lidhje me largimin e targave të veturës në Zveçan dhe vendosjen e tyre në Prishtinë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Më 23 nëntor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për të tejkaluar krizën rreth targave të makinave.
Deri atëherë, Kosova pati insistuar në ri-regjistrimin e të gjitha makinave me targave ilegale në RKS – Republika e Kosovës.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.
Faza e parë e qortimit, e cila do zbatohej deri më 22 nëntor 2022.
Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.
Mirëpo me marrëveshjen e nëntorit në Bruksel, Kosova është zotuar për heqje dorë nga masat ndëshkuese lidhur me targat, derisa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më targa ilegale.
Simbolet në targa përmenden edhe në Marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore” – thuhet në pikën e parë të marrëveshjes bazë.
Mirëpo nuk specifikohet se çfarë do të ndodhë me targat KM.
Në anën tjetër, nga mesdita e 26 majit të këtij viti, serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët e tjerë nuk e bënë në objektet e komunave por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.
Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdor edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.
Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.
Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it, dhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.
SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës.
Faktorët ndërkombëtarë kanë theksuar disa kërkesa në lidhje me shtensionimin e situatës në veri, ndër to janë edhe mbajtja urgjente e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative.