Kallxo

Promovohet libri ‘Shqipëria mund të bëhet’ i Ylli Çabirit

Dështimet e institucioneve shqiptare për ta bërë Shqipërinë një shtet funksional, modern në shërbim të qytetarëve, pasojat dhe të metat, por njëkohësisht edhe sugjerime për të ndodhur e kundërta, janë përmbledhur në librin ‘Shqipëria mund të bëhet”, të Ylli Çabirit.

Libri është promovuar të martën, me 20 nëntor 2018, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ndërsa trajton në mënyrë profesionale të metat e administratës shtetërorë të shtetit shqiptar, të cilat e stopojnë apo e pamundësojnë që të jetë një shtet funksional.

Njëkohësisht autori Çabiri, ish-ministër dhe një veteran i administratës shtetërore shqiptare sjellë edhe mënyrën dhe idenë sipas të cilit, mund ta bëjnë, siç ka potencuar ai, Shqipërinë, një shtet funksional.

Personalitete të ndryshme kanë pohuar se libri ‘Shqipëria mund të bëhet’ i Ylli Çabirit është një aset kombëtar përmes së cilit janë argumentuar se si duhet të funksionojë një shtet modern, dhe si funksionojnë qeverisjet në të mirë të qatetarëve.

Duke folur për librin ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi ka thënë se ky libër është një pasqyrë e funksionimit të shteti shqiptar, i cilit sipas tij nuk ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.

“Është një libër që i djeg çdo lloj qeveritari prej këtyre 27 viteve demokraci, por që është edhe një udhërrëfim për të gjithë ata që duan të ndërtojnë një shet funksional”, ka potencuar ambasadori Minxhozi, duke shtuar se ky libër vlen edhe për Kosovën, pasi kanë të njëjtat probleme me Shqipërinë.

Kurse historiani Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit të Filologjisë, ka pohuar se libri sjellë informacione lidhur me rrugëtimin e shtetit shqiptar në vitet pas monizmit.

“Libri i jep rekomandime për të tejkaluar gjendjen e amullisë në të cilën gjendet Shqipëria e sotme, përkatësisht institucionet e saj të politikave publike në krye me qeverinë e saj”, ka pohuar ndër të tjerash Dugolli.

Ndërsa Tefik Mehmeti nëndrejtor i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” ka thënë se ky libër analizon funksionet qeverisëse dhe strukturat organizative.

“Por para së gjithash hedhe dritë dhe reflekton mbi mundësitë e zgjedhjes së shumë çështjeve që e preokupojnë individin dhe popullin në tërësi”, ka pohuar Mehmeti.