Gjykimi i Shaqir Mustafës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Tentoi ta vriste pse ia kishte hapur derën e shtëpisë

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur sot në Gjykatën e Mitrovicës, i pandehuri Shaqir Mustafa, i akuzuar për vrasje në tentativë, ka kërkuar që t’i ndërrohet avokati.

Pasi që u njoftua gjyqtari Burim Ademi se nga cili avokat do të përfaqësohet gjatë gjykimit, i pandehuri ka kërkuar që t’i ndërrohet mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Rexhep Kaçaniku, raporton KALLXO.com.

“Kërkoj automatikisht me ma ndërru avokatin. Nuk dua te kem avokat, dua që vet të mbrohem“, ka deklaruar i pandehuri.

Por pasi që i pandehuri nuk ka treguar asnjë arsye për kërkesën e tij, gjyqtari i rastit Burim Ademi e ka njoftuar se në këtë çështje penale nuk mund të vazhdojë gjykimin në mungesë të mbrojtësit ngase në këtë rast mbrojtja është e detyrueshme, andaj Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e të pandehurit nuk mund të pranohej.

Shaqir Mustafa akuzohet për veprën penale vrasje në tentativë.

Akuza e Prokurorisë së Mitrovicës thotë se në shtator të këtij viti në Vushtrri, Shaqir Mustafa me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit Elez Xhibegjis.

I pandehuri Mustafa kishte pasur një fjalosje me të dëmtuarin rreth derës së shtëpisë së tij, ku i pandehuri Shaqir Mustafa iu kishte drejtuar me fjalët “Pse ma keni hapur derën e shtëpisë së vendit ku banoj?“.

I dëmtuari sipas akuzës e kishte shtyrë lehtësisht të pandehurin që ai të dalë nga lokali, por i pandehuri e kishte goditur të dëmtuarin me thikë, raporton kallxo.com.

Elez Xhibegjia kishte marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa më pas ishte dërguar në emergjencë.

Më këtë Shaqir Mustafa kishte kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Në seancën ë shqyrtimit fillestar të mbajtur në gjykatën e Mitrovicës pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Naim Beka, i pandehuri ka deklaruar se nuk e ndien vetën fajtor për këtë vepër.

Për më tepër në gjykatë i pandehuri ka treguar se edhe më herët kishte qenë i dënuar për disa vepra tjera penale.

Meqenëse i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë, gjyqtari Burim Ademi ka njoftuar palët se në afat prej 30 ditëve mund t’i paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me akuzën apo ndaj provave.

Shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, ndërsa në lidhje me kundërshtimet nëse do të ketë do të vendos jashtë seancës gjyqësore.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!