Piktura ku shfaqet Slobodan Praljak duke pirë helm. Foto: eZadar.hr/I.P.

Portreti i kriminelit të luftës që piu helm do të shfaqet në Kroaci

Një artiste kroate po ekspozon një pikturë të gjeneralit kroat të Bosnjës, Slobodan Praljak i cili tërhoqi vëmendje ndërkombëtare disa muaj më parë kur piu helm para Gjykatës së Hagës pasi u shpall fajtor për krime lufte ndaj boshnjakëve në vitet 1990.

eZadar.hr raportoi se të hënën në bibliotekën e qytetit në Zadar do të hapet një ekspozitë e artistes kroate Sonja Butiç Davidoff ku pritet të shfaqet një pikturë e momenteve të fundit dramatike të gjeneralit kroat të Bosnjës, Slobodan Praljak.

Piktura shfaq momentin kur Praljak piu helm në sallën e gjyqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, ICTY në Hagë nëntorin e kaluar.

Pasi u lexua vendimi përfundimtar ku u dënua me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit, të kryera kundër boshnjakëve gjatë luftës së viteve 1990 në Bosnjë-Hercegovinë, Praljak i tha gjykatës se “Slobodan Praljak nuk është një kriminel lufte. Unë e refuzoj gjykimin tuaj”.

Ai pastaj piu helm nga një shishe e fshehur dhe vdiq brenda pak minutave.

Artistja thotë se pikturën e ka bërë dy ditë pas vetëvrasjes së Praljak, sipas eZadar.hr.

ICTY-ja vendosi se Praljak kishte kryer krime si deportimet e detyruara të boshnjakëve nga Komuniteti Kroat Herzeg-Bosnja, (më vonë republikë), një entitet kroat ky i panjohur gjatë kohës së luftës në Bosnje-Herzegovinë – si dhe arrestime, vrasje, tortura, terror mbi civilët dhe përdorim të të paraburgosurve si punë rob dhe si mburojë njerëzore në luftime.