Foto-ilustrim

Policia Tregon Çka Sekuestroi dhe Kë e Arrestoi

Policia e Kosovës ka bërë një bilanc të veprimeve të saj hetimore dhe operacionale lidhur me protestën e mbajtur në kundërshtim të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, që pritej të ndodhte sot në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një komunikate, Policia ka informuar se ka kryer disa bastisje në lagjen “Dardania” në kryeqytet ndërsa ka arrestuar edhe disa persona të cilët dyshohen për veprime të kundërligjshme.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime hetimore dhe operacionale përmes të cilave janë identifikuar dhe sekuestruar disa pajisje të dyshimta të cilat mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve si dhe të shkaktojnë dëme materiale në qoftë se arrihet deri te posedimi dhe përdorimi i tyre”, thekson Policia.

Po ashtu, në këtë njoftim tregohet se disa persona të dyshuar janë shoqëruar në Polici për intervistim lidhur me dyshimin e bazuar për veprime të kundërligjshme.

Sipas komunikatës, gjatë bastisjes së një garazhe në lagjen “Dardania” Policia ka konfiskuar 50 çanta me shishe të vogla nga qelqi të mbushura me materie të lëngshme, gjashtë pako të ndryshme me shishe të mbushura me materie te lëngshme, shtatë plastike të improvizuara për hedhjen e mjeteve te ndryshme, pesë shishe plastike 10 litërshe të mbushura me materie te lëngshme, dy hinka ngjyre të kuqe, tri qese me gur të madhësive të ndryshme, një qese me maska vizatimore, shtatë çanta me kavanoz me materie të lëngshme, një çantë me 31 shishe të vogla ngjyre vjollce me materie të lëngshme, shtate megafonë, një paketë me ID të personave me emra dhe mbiemra të tyre dhe 21 sprej me ngjyrë.

KALLXO.com solli edhe pamjet gjatë bastisjes së garazhit, e cila ndodhi orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

http://kallxo.com/video-ekskluzive-policia-zbulon-molotovet/

Po ashtu njoftohet se dhjetë persona janë shoqëruar nga Policia, dy nga ta deputetet Donika Kada-Bujupi dhe Aida Dërguti.

“Njëri nga të ndaluarit e dyshuar me iniciale E.A. (1983),  në ora 11:25 është kapur afër ndërtesës se Qeverisë duke tentuar të ndërhyjë në kabllot e sistemit të transmetimit televiziv, ku ka hapur njërën prej kutive të sinjalit të televizionit dhe ka tentuar ta këpusë. Ai në krah kishte çantën në të cilën kishte edhe gjësendet e dyshuara”, thekson Policia.

“Është konsultuar Prokurori kompetent, ku për të dyshuarin e lartcekur me iniciale E.A. ka urdhëruar që të hapet rast “Hyrje në sistemin kompjuterik”, të intervistohet dhe të lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë.

KALLXO.com ka shkruar sot gjatë ditës edhe për masat dhe veprimet që I ka marrë policia në lidhje me mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

 

http://kallxo.com/policia-gjen-koktej-molotovi-ne-lagjen-dardania/

http://kallxo.com/arrestohen-dy-deputete-te-vv-se/