Vuçiq në Mitrovicë - Foto: KALLXO.com

Policia: Rreth 10 mijë qytetarë në tubimin e Vuçiqit në veri të Mitrovicës

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka thënë për KALLXO.com se në sheshin ‘Car Llazari’ në veri të Mitrovicës në tubimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kanë qenë të pranishëm rreth 10 mijë persona.

“Sipas vlerësimit prej terrenit kanë qenë diku rreth 10 mijë persona, në bazë të hapësirës e cila ka qenë e mbuluar përafërsisht është ky numër”, ka deklaruar Hoti për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar edhe  për autobusë me tabela zyrtare të institucioneve të Kosovës të cilët janë parë duke transportuar qytetarë në drejtim të Mitrovicës.

Besohet se bëhej fjalë për qytetarë nga Graçanica, të cilët po shkonin drejt Mitrovicës Veriore, ku ishte paraparë të mbahej një tubim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

https://kallxo.com/autobuse-me-tabela-te-institucioneve-te-kosoves-bartin-qytetare-per-ne-mitingun-e-vuciqit/

Ai sot kishte planifikuar të shkonte në fshatin Banjë të Skenderajt, i banuar nga komuniteti serb, por vizita e tij është penguar nga bllokimi i rrugëve nga qytetarë të Drenicës dhe nga vendimi i kryeministrit Haradinaj për t’ia anuluar lejen për të vizituar këtë fshat.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka qëndruar në një vizitë dyditore në Kosovë. Liqeni i Ujmanit, ishte pika ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e filloi vizitën në Kosovë për të cilën fillimisht nuk posedonte leje për ta vizituar.

Deri në orët e vona të mbrëmjes të së premtes, MPJ i kishte lejuar të gjitha vizitat që i kishte paraparë Vuçiq, vetëm atë të Ujmanit jo.

KALLXO.com vazhdimisht kishte raportuar në lidhje me lejen e MPJ-së për presidentin serb.

Pavarësisht se nuk kishte leje për ta vizituar Ujmanin ose siç e quajnë serbët liqenin e “Gazivodës”, presidenti serb kishte thënë se nëse vjen në Kosovë ai do të shkojë në Ujman.

https://kallxo.com/permbledhje-nga-dita-e-pare-e-vizites-se-vuciqit-ne-kosove/

Kallxo.com