MPJ ia refuzon kërkesën e Vuçiqit dhe të tjerëve të vizitojnë Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla e ka quajtur provokim kërkesën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe zyrtarëve tjerë të shtetit serb për të vizituar Kosovën.

“Kërkesa e Vuçiq, Vulin, Gjuriq e Petkoviq për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur, dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim!”, thuhet në deklaratën e ministres Haradinaj Stublla.

Sipas saj, çdo kërkesë e Serbisë në këto rrethana do ta ketë përgjigjen e njëjtë.

Ministrja i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë në këtë proces.

“Serbia, nuk është në gjendje ta trajtojë të kaluarën e saj kriminale, andaj kërkohet ndërhyrje ndërkombëtare në këto rrethana, që drejtësia e munguar për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë të vihet në vend”, thuhet tutje në komunikatë.