Ilustrim

Policia arreston të dyshuarin për të shtëna me armë ndaj policit 'Tarkani'

Mëngjesin e sotëm policia ka arrestuar një 33 vjeçar me inicialet A. E.

KALLXO.com mëson se i arrestuari është personi i cili dyshohet se më 24 tetor dhe 2 nëntor të këtij viti kishte gjuajtur me armë në drejtim të policit Avni Berisha, i njohur me nofkën “Tarkani”.

Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar se sot në mëngjes 33 vjeçari me inicialet A. E. është arrestuar pasi që është zënë në flagrancë deri sa po kryente një vjedhje në Lagjen “Bregu i Diellit”.

I njëjti kishte parë policinë dhe kishte tentuar të ikte e më pas edhe kishte shtënë në drejtim të policisë në përpjekje për t’iu shmangur atyre.

“33 vjeçari përgjatë përpjekjeve të tij për të ikur nga policia, ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë, por fatmirësisht nuk ka arritur t’i qëllojë ata”, thuhet në një njoftim të Policisë së Rajonit të Prishtinës.

Sipas njoftimit policia ka thënë se duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre, zyrtarët policorë domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të  tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll.

“Përkundër shkrepjeve nuk raportohet për persona të plagosur nga arma e zjarrit përveç lëndimeve trupore që gjatë arrestimit të personit të dyshuar  kanë marrë dy zyrtarë policorë. Të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të dyshuarit policia ia ka sekuestruar edhe një revole e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rastin në fjalë.

Në anën tjetër, policia kishte zgjeruar pistën e hetimit për disa raste të tjera për të njëjtin person pasi që sipas tyre, mund të jetë i implikuar.

Sipas policisë 33 vjeçari po dyshohet për dy rastet e gjuajtjes me armë ndaj një zyrtari policor.

“Bëhet fjalë për një rast tentim vrasjeje, të ndodhur me datën 24.10.2018, rreth orës 02:00, ku i dyshuari ka shtënë në drejtim të një zyrtari policor, pasi që i njëjti është hasur në tentativë të kryerjes së veprës penal. Gjithashtu edhe më datë 02.11.2018 rreth orës 20:00, në përpjekje për t’iu shmangur legjitimimit policor i njëjti ka shtënë në drejtim të zyrtarit policor, për të ikur më pas në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e policisë.

KALLXO.com mëson se 33 vjeçari me inicialet A. E është i dyshuari për gjuajtjen me armë ndaj policit Avni Berisha i njohur me emrin “Tarkani”.

Avokati i Avni Berishës, Naim Rudari, kishte konfirmuar për KALLXO.com se klienti i tij është sulmuar edhe me datë 24 tetor edhe më 2 nëntor të këtij viti.

Flet avokati: ‘Tarkani’ është sulmuar edhe javën e kaluar

Sulmuesi i policit të njohur si ‘Tarkani’ mister për prokurorinë