Kryeministri Isa Mustafa shpalli një “gjendje gatishmërie” nëntorin e kaluar, dhe forca të njësive speciale u shfaqën kudo në Kosovë | Foto: BIRN

Sulmi me armë ndaj policit Avni Berisha - 'Tarkanit', nisin të sqarohen rrethanat

Ka nisur procesi gjyqësor për tentim vrasjen ndaj policit Avni Berisha, i njohur në publik si “Tarkani”.

Seanca e shqyrtimit fillestar është mbajtur sot para gjykatëses Suzana Çerkini.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit Arsim Elshani, avokati Arbër Shala.

Avokati Arbër Shala për KALLXO.com ka thënë se klienti i tij Arsim Elshani gjatë seancës së sotme nuk është deklaruar rreth fajësisë për shkak se si mbrojtje ende nuk janë pajisur me shkresat e lëndës.

Aktakuza e Prokurorisë pretendon se i akuzuari Arsim Elshani më 24 tetor 2018 rreth mesnatës në rrugën “Bashkim Fehmiu” në Prishtinë përderisa ka qenë duke i dëmtuar kamerat e sigurisë që gjendeshin në garazhin e objektit “Arbëria com”, i dëmtuari Avni Berisha porsa e ka vërejtur pasi që i është prezantuar se është zyrtar policor e ka urdhëruar që të ndalej.

Por, sipas aktakuzës, pasi që “Tarkani” e kishte urdhëruar të ndalej, i akuzuari Arsim Elshani e kishte nxjerrë armën dhe nga distanca prej afro 8 metrash ka shtënë dy herë në drejtim të “Tarkanit”.

Aktakuza përshkruan se në shenjë vetëmbrojtjeje edhe “Tarkani” më pas kishte shtënë tri herë me armën zyrtare në drejtim të të akuzuarit.

Por sipas Prokurorisë ky nuk është sulmi i vetëm që i akuzuari e ka kryer në drejtim të Avni Berishës – “Tarkanit”.

Më tej aktakuza sqaron se si edhe me datë 2 nëntor 2018, rreth mbrëmjes, në rrugën “Vicianum” në Prishtinë, posa i dëmtuari Avni Berisha kishte dalë nga banesa e tij e kishte parë dhe më pas identifikuar të akuzuarin Arsim Elshanin teksa ishte duke ecur në trotuar të cilin më pas e kishte urdhëruar të ndalonte.

Mirëpo sipas Prokurorisë i akuzuari as kësaj here nuk është ndalur dhe i njëjti me dashje që ta privojë nga jeta “Tarkanin”  thuhet se nga distanca 7-8 metra ka shtënë me revolen e njëjtë në drejtim të policit, e pastaj në ikje e sipër ka shtënë edhe njëherë në drejtim të tij nga distanca prej 20 metrash duke rrezikuar edhe persona të tjerë të pranishëm në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë.

Me veprimet e lartpërmendura, Prokuroria e Prishtinës të akuzuarit i vë në barrë veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.