Foto: KALLXO.com

I akuzuari ka vdekur, gjykimi zhvillohet ndaj djalit të tij

Prokurorja Zana Sadiku Sertolli e ka ndryshuar dhe plotësuar aktakuzën pasi gjatë seancës u njoftua se i akuzuari Vesel Berisha kishte vdekur.

Meqë i akuzuari kishte vdekur, gjykimi në Gjykatën e Ferizajt ka nisur ndaj të birit të tij, Avni Berishës.

Pas leximit të aktakuzës së plotësuar nga prokurorja, i akuzuari Avni Berisha tha se nuk e pranon fajësinë dhe se do të vazhdojë me kundërshtimin e akuzës.

Më pas, gjyqtari i rastit, Shabi Idrizi, e ka ndërprerë seancën.

Prokuroria po e akuzon Avni Berishën për vjedhje të rrymës nga biznesi SHPK “Avi Com”, pronar i të cilës ishte babai i tij, Vesel Berisha.

Vjedhja e rrymës, sipas aktakuzës, ka ndodhur nga një datë e pavërtetuar deri më 12 mars 2019, kur një ekip i kompanisë KEDS kishte gjetur se njehsori i plombuar kishte dy dalje, nga njëra prej të cilave furnizohej nxemja qendrore, ndërkohë që rryma e shpenzuar nuk regjistrohej.

Prokuroria pretendon se KEDS është dëmtuar në vlerën 3 mijë e 333 euro.