Pesë persona shoqërohen në Polici në protestën në Gjakovë

Pesë persona janë shoqëruar në Polici gjatë një proteste e cila është duke u mbajtur në Gjakovë që nga orët e mëngjesit, si kudnërshtim për një vizitë të planifikuar të pelegrinëve serbë në një kishë të qytetit.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, tha për KALLXO.com se protesta deri më tani është duke vijuar e qetë, ndërsa pesë personat e ndaluar, sipas saj, kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave të tyre.

“Protesta po vazhdon të jetë e qetë. Deri më tani janë shoqëruar për në stacion policor pesë persona të cilët në rrugën që shpien te kisha kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës ndërsa njëri prej tyre ka dëmtuar automjetin e kompanisë bartëse”, tha zëdhënësja Podrimaj.

Më herët, anëtarja e komisionit për të pagjeturit, Nesrete Kumanova, ishte alivanosur gjatë një fjalimi që po e mbante para pjesëmarrësve në protestë. Ajo është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Gjakovës.

https://kallxo.com/nesrete-kumanova-alivanoset-gjate-protestes-ne-gjakove/

Gjatë ditës së djeshme, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, kishte kërkuar nga Presidenti Hashim Thaçi, ta bënte të mundur këtë vizitë të serbëve në Gjakovë, ndërsa Presidenti ishte përgjigjur se “është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”.

KALLXO.com ka raportuar sot për protestën e cila po mbahet në Gjakovë.

https://kallxo.com/nis-protesta-ne-gjakove-kunder-vizites-se-serbeve-ne-kishe-video/