Pamje nga konferenca e OEK-ut - Foto: KALLXO.com

Përmirësohet Sektori i Ndërtimit, Tregtia ‘Çalon’

Një hulumtim i bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), i cili u publikua sot, flet për gjendje pozitive të bizneseve në vend dhe pritjet në fushën e punësimit janë optimiste.

Gjatë këtij studimi janë anketuar rreth 400 biznese të sektorëve të tregtisë, prodhimit (ushqimit, përpunimit të drurit, etj.), ndërtimtarisë dhe shërbimeve.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se në përgjithësi gjendja e bizneseve është pozitive dhe pritjet janë edhe më të mëdha në gjashtë muajt që vijnë.

“Gjendja e përgjithshme e bizneseve në këtë tremujor është vlerësuar të jetë mjaft pozitive. Pritjet për punësim janë optimiste sikur që është pritshmëria për aktivitet biznesor më të mirë në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha Gërxhaliu.

Ai më tej shtoi se sektori i ndërtimit ka përmirësim të jashtëzakonshëm, ndërsa më dobët mbetet sektori i tregtisë.

“Sektori i ndërtimit ka treguar një përmirësim të jashtëzakonshëm në këtë tremujor, duke vlerësuar gjendjen aktuale të biznesit si më të mirën që nga viti 2013. Vlen të theksohet se sektori i tregtisë në këtë tremujor ka përformuar pak më dobët në krahasim me sektorët e tjerë”, shtoi ai.

Sipas Gërxhaliut edhe pse ndoshta këto rezultate duken jo të pritura, ai tërheq vëmendjen se në vitin 2015 janë krijuar trupa të ndryshme për të adresuar problemet, sikur Marrëveshja e MSA-së, pakoja e re fiskale dhe reforma permanente që janë duke u bërë në Doganat e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, të cilat sipas tij, kanë reflektuar në optimizëm.

Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e konsideroi si profesionale këtë analizë dhe shprehet e kënaqur me indikacionet pozitive të saj

“Një analizë që vjen prej një mostre prej 400 bizneseve është një analizë shumë profesionale dhe më gëzon fakti që ne sot kemi indikacione shumë pozitive dhe këto thuhen pikërisht nga 400 biznese dhe thuhen nga asociacioni më kredibil i përfaqësimit të sektorit privat që është në Kosovë siç është Oda Ekonomike e Kosovës”, tha Bajrami.

Ministrja gjithashtu njoftoi se në këtë gjashtëmujor në krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar është rritur numri i bizneseve të regjistruara për 10 për qind.

Ajo theksoi se është tepër e rëndësishme fakti se ka ndryshuar komplet struktura e bizneseve, ku për 106 për qind është rritur numri i shoqërive me përgjegjësi të kufizuara, pasi që, sipas saj, janë bërë përpjeke në përmirësimin e ambientit të biznesit dhe i kanë bindur bizneset që të regjistrohen si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara.

Ministrja Bajrami tregoi edhe disa statistika interesante. Sipas saj, janë rritur në 34 për qind bizneset me pronarë të huaj si dhe  në 31 për qind është rritur numri i bizneseve me pronare gra, në krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se kemi thjeshtësuar shumë procedura me qëllim që bizneseve t’u lehtësohet puna.

“Dogana do të vazhdojë me avancime tjera. Ne jemi duke punuar tani që prej 15 gushtit të fusim në funksion sistemin e ri, ku 50 për qind të procedurave sot që kryhen nga ana e oficerëve doganorë në mënyrë manuale do të kalojnë komplet në sistem elektronik dhe do të jetë për herë të parë në Ballkan një sistem i tillë në implementim”, tha Rafuna.

Ky projekt i Odes Ekonomike të Kosovës është mbështetur nga Qeveria Gjermane.