Vdes Kosovari i Katërt në Kazakistan

Sot humbi jetën edhe punëtori i katërt nga Kosova i cili po punonte në Astana të Kazakistanit, ndërsa dy të tjerë mbetën të lënduar.

Tre nga të vdekurit kishin humbur jetën dje, ndërsa Avni Maksuti ka vdekur sot, lajmin e ka konfirmuar kompania Mabco Constructios, përmes një komunikate për media.

Viktimat ishin punëtorë të kompanisë Mabco Construction, në Astana të Kazakistanit, me pronar, ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli.

Se si është gjendja e punëtorëve të lënduar, dhe kur do të kthehen ata, ende nuk dihet.

“Ende nuk ka zhvillime te reja…. Posa të i kam informatat e sakta, do ju informoj…” tha për KALLXO.com, Islam Pacolli, drejtor në  kompaninë “Mabetex.

Pacolli nuk deshi të komentonte se si është gjendja e tre të lënduarve, dhe as se kur do të ktheheshin trupat e viktimave në Kosovë.

Gjashtë punëtorët e Mabco Construction, kishin rënë nga një lartësia prej 20 metrash, gjatë kohës kur po zbërthenin skelet në një ndërtesë.

“Ka ndodhur një tragjedi ku për fat të keq kanë humbur jetën punëtoret Blerim Kadriu, Bekim Durmishi, Luan Bakia dhe Avni Maksuti, si dhe janë lënduar Hajrush Hoti, Isuf Bekolli”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo kompani.

Dhimbje për këtë aksident ka shprehur edhe Behgjet Pacolli.

Ai përmes një postimi në faqen e tij Facebook, ka thënë se e gjithë familja e Mabetex shpreh ngushëllimet me të sinqerta për këtë tragjedi dhe lutemi për ata në këtë natë të madhe të muajit të shenjtë.

“Kjo është tragjedia më e madhe qe ka ndodhur në historikun e kompanisë tonë për çka, edhe njëherë ndajmë dhimbjen me familjet dhe dashamiret e viktimave”, thuhet në postimin  tij, si dhe në komunikatën e lëshuar nga kjo kompani.

Kompania “Mabetex” ka afërsisht 6 mijë punëtorë në Kazakistan, të cilët kanë marrëdhënie pune me Mabco Construction.