Rifillon Prodhimi Optimal në Termocentralin Kosova B

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se Termocentrali Kosova B, ka filluar prodhimin optimal pas një defekti që ka pasur nga dita e hënë.

“Falë angazhimit të pashoq të gjithë punëtorëve në të gjitha hallkat e ndërlidhura të punës dhe menaxhimit efikas, brenda afatit rekord, është eliminuar defekti teknik në stabilimentet e përbashkëta të furnizimit me qymyr të Termocentralit Kosova B”, tha drejtori i Shërbimit të KEK, Edmond Nulleshi përmes një njoftimi për media.

Nulleshi ka treguar që falë këtij angazhimi, njësia B2 e Termocentralit Kosova B ka filluar prodhimi me kapacitet optimal ndërsa paralajmëroi që gjatë orëve të mbrëmjes do të jetë në dispozicion për prodhim edhe njësia B1.

“Si rrjedhim, ne orët e mbrëmjes se datës 14.07.2015, prodhimi i energjisë elektrike nga njësitë gjeneruese te KEK-ut pritet te stabilizohet ne tërësi sipas planit”, ka deklaruar Nulleshi.

Më herët, KEDS kishte shprehur shqetësimin për situatën e krijuar nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike duke paralajmëruar se mund të kishte kufizime të furnizimit me rrymë.