Reichel: Fajin e ka Opozita!

I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Ernst Reichel, e ka bërë përgjegjëse opozitën në Kosovë për zhvillimet e fundit në Kuvend.

Reichel ka ardhur në Prishtinë pak ditë pas ngjarjeve të cilat rezultuan me hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, të premten, përderisa deputetët po mbanin seancë të rregullt.

Në një takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, diplomati gjerman citohet ta ketë fajësuar opozitën e përbërë nga Vetëvendosje, AAK dhe NISMA se po përpiqet t’ia imponojë shumicës vullnetin e vet.

“Fajtor për këtë situatë është opozita, e cila duhet t’i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme t’ia imponojë vullnetin shumicës”, citon komunikata e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës të ketë thënë Ernst Reichel gjatë këtij takimi.

Nga ana e tij, kryekuvendari Veseli theksoi se është duke bërë përpjekje që në Kuvendin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare, duke vazhduar me insistim në mjetet demokratike për afrimin e pozitës dhe opozitës.

“Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe do të vazhdojë punën e tij me një paketë projektligjesh shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, theksoi kryetari Veseli.

Sipas komunikatës, në takim është biseduar edhe për proceset e integrimit evropian të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik. Ambasadori Reichel theksoi se Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryetari Veseli falënderoi ambasadorin Reichel për mbështetjen e fuqishme që Berlini po i jep në vazhdimësi Kosovës dhe shprehu nevojën që bizneset gjermane të investojnë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare. Zhvillimi ekonomik është agjenda të cilën qytetarët e Kosovës e presin nga të zgjedhurit e tyre.