Prindi Falënderon FSK-në për Gjetjen e Trupit të Djalit

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti i ka dhënë mirënjohje sot ekipit të pjesëtarëve të FSK-së që e kërkuan për plot dy javë dhe e gjetën trupin e fëmijës së mbytur gjatë shkurtit në lumin Sitnica. Këta pjesëtarë i ka falënderuar edhe prindi i njëmbëdhjetëvjeçarit.

Njoftimin për dhënien e kësaj mirënjohjeje e bëri Komuna e Lipjanit nëpërmjet një komunikate.

Sipas komunikatës, kryetari Ahmeti i ndau mirënjohje njësitit të Task-Forcës së FSK-së për kontributin e dhënë në koordinim dhe kërkim-shpëtim dyjavor në lumin Sitnica për gjetjen e trupit të pajetë të Arlind Gashit nga fshati Rufc i Vjetër.

“Kujtoj se ekipi i FSK-së me angazhimin dhe përkushtimin në ato ditë të ftohta, në ato ditë të rënda për familjen Gashi, kanë dhënë maksimumin për të menaxhuar dhembjen që normalisht e kemi ndjerë të përbashkët,” citohen në komunikatë fjalët e Ahmetit gjatë kësaj ceremonie.

Edhe prindi i fëmijës së mbytur ishte i pranishëm në këtë aktivitet. Ai kishte fjalë të mira për pjesëtarët e FSK-së që bënë gjithçka për ta gjetur trupin e djalit të tij.

Arlind Gashi u raportua i humbur nga familjarë të tij në fillim të shkurtit, në kohën kur reshjet e shumta nxorën nga shtrati lumin Sitnica.

Gashi u gjet më 20 shkurt nga zhytës të FSK-së, pasi ekipet e Forcës e kërkuan për dy javë nëpër ujin e ftohtë të lumit.