Policia: Ishte Planifikuar Sulm ndaj Kryeministrit Isa Mustafa

Policia e Kosovës të mërkurën në një deklaratë për KALLXO.com ka pranuar se ndaj Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ishte përgatitur një sulm nga dy persona të dyshuar që janë në ikje.

“Mund të konfirmojmë se sot, më datë 23.09.2015 rreth orës 07:58, në rrugën Lidhja e Prizrenit, nga Njësia Policore e Mbrojtjes së Afërt janë vërejtur dy persona të dyshuar të cilët kanë tentuar ta ndalojnë/sulmojnë eskortën e Kryeministrit e cila ka qenë në lëvizje”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, njësiti ka intervenuar menjëherë dhe ka parandaluar veprimin e personave të dyshuar derisa të njëjtit gjatë ikjes kanë lënë pas vetes disa qese me mjete të dyshuara.

“Gjatë ikjes kanë lënë prapa tri qese të letrës në të cilat ka pasur mjete të forta, copëza metali të cilat shërbejnë për shpuarjen e gomave, si edhe një telefon celular”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia e Kosovës ka ekspozuar sot në mëngjes në oborrin e ndërtesës së qeverisë disa mjete të forta të cilat thuhet se kanë qenë të dedikuara për sulm ndaj eskortës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

KALLXO.com ka xhiruar ekipet e forenzikës policore që janë parë sot në oborrin e ndërtesës së qeverisë duke bërë hetimin e rastit.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com edhe nga zyrtarë të qeverisë.

Eskorta e kryeministrit, Isa Mustafa ka shpëtuar pa asnjë incident dhe ka vazhduar lëvizjen pa problem ndërsa policia është duke i kryer të gjitha hetimet e këtij rasti.

“ Lidhur me rastin janë duke u kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndryshe, eskorta e kryeministri, Isa Mustafa është sulmuar me ngjyrë të kuqe edhe më 9 shtator, ndërsa i gjithë ky veprim ishte pranuar nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu kryeministri Mustafa është sulmuar edhe me vezë nga deputetët e tri subjekteve politike AAK, VV dhe Nisma derisa po raportonte në Kuvend për Marrëveshjet  Kosovë- Serbi të nënshkruara më 25 gusht në Bruksel.