Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Për Vrasje me Dashje Dënimet e Para të Përjetshme me Burgim

Për vrasjen e Melvin Ajdinoviqit në Strofc të Obiliqit janë dënuar me burgim të përjetshëm Emin Krasniqi e Astrit Mehmeti.

Dënim të përjetshëm për Krasniqin e Mehmetin shpalli sot trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Mirlinda Gashi, zyrtarja për informim e kësaj gjykate.

I njëjti trup gjykues të miturën me inicialet F.C. e shpalli përgjegjëse dhe e dënoi me 9 vjet e 10 muaj burg.

Prokuroria, Emin Krasniqin, Astrit Mehmetin dhe të miturën F. C. i akuzonte për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të boshnjakut Melvin Ajdinoviq. Vrasja kishte ndodhur më 12 tetor 2014 rreth orës 20:30.

Sipas aktakuzës, në këtë natë e mitura F.C. ishte marrë vesh me të akuzuarit Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti që në bashkëveprim e me dashje ta privojnë nga jeta Melvin Ajdinoviqin për motiv të përfitimit të dobisë pasurore.

Për këtë qëllim ata ishin takuar në një kafiteri në Obiliq ku gjatë drenimit kishin bërë plane për t’ia marrë të hollat dhe për ta vrarë Ajdinoviqin.

Pastaj, gjithnjë sipas aktakuzës, te rrethi në Obiliq, e mitura F.C. ishte takuar me Ajdinoviqin, duke i propozuar atij një shëtitje me taksi. Si taksist i rremë në këtë rast të dyve iu ishte paraqitur tash i dënuari Emin Krasniqi me makinën e tij të tipit “Golf 2”.

Kur të tre kishin hipur në makinë, ishin nisur drejt fshatit Zhilivodë të Vushtrrisë, ku për ta luajtur si duhet rolin e taksistit, Krasniqi ishte ndalur për ta marrë një udhëtar tjetër, tash të dënuarin Astrit Mehmeti.

Aktakuza tregon se të katërt vazhduan rrugën drejt fshatit Strofc të Vushtrrisë ku e kryen vrasjen e Ajdinoviqit.

“Te vendi i quajtur Buxhak i Strofcit afër një pusi (bunari) të ndjerin e vrasin dhe e hedhin në bunar. Pas disa ditësh të akuzuarit Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti e nxjerrin të ndjerin nga bunari dhe e varrosin disa metra në afërsi të bunarit, thuhet në aktakuzë.

Këto janë dënimet e para me burgim të përjetshëm që nga hyrja në fuqi në janar të vitit 2013 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës që parasheh edhe këtë dënim.