Pacolli Paralajmëron Anulim të Marrëveshjes për Policat e Sigurimit

Udhëheqësi i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë – Serbi për sigurime, Rrahim Pacolli, ka paralajmëruar anulim apo ndërprerje të marrëveshjes së Policave të Sigurimit në rast se Qeveria e Kosovës nuk vendos reciprocitet për Serbinë me targat provuese.

“Unë do t’i kujtoj qeverisë që ata (Serbia) deri më 1 shtator t’i heqin tabelat provuese apo “Proba” nga marrëveshja që ne kemi pasur. Nëse nuk i heqin këto targa unë do të kërkoj të bëhet reciproke, tamam siç po bënë shteti serb. Nëse nuk e bën këtë Qeveria e Kosovës, atëherë do ta shqyrtojmë gjatë shtatorit. Por nëse nuk bën asgjë edhe Bashkimi Evropian, atëherë do ta ndërpresim apo anulojmë këtë marrëveshje”, tha Pacolli.

Ai tha se nëse Qeveria e Kosovës do vendos targa provuese për shtetin e Serbisë, shteti fqinjë do t’i largojë targat “Proba” brenda tri- katër dite.

Por i pyetur se si do të jenë targat provuese të Kosovës, Pacolli nuk kishte ide.

“Nuk i kam menduar fare si do të jenë, por Qeveria e Kosovës ka targa provuese për një javë apo dy dhe mendoj që këto duhet të aplikohen për serbët derisa ta respektojnë këtë marrëveshje”, pohoi Pacolli.

Pacolli tregoi se që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Policat e Sigurimit ka ndodhur vetëm një problem në kufirin e Mitrovicës së Veriut.

“Sa i përket marrëveshjes, është duke u zbatuar, është reciproke. Ka disa pika, p.sh në Mitrovicë të Veriut ku ka pasur problem para disa dite që një person nuk ka pasur targën provuese apo “Proba” dhe është kthyer  mbrapa. Këtë problem e kemi dërguar te Bashkimi Evropian, pra i kemi informuar ata”, tha Pacolli.

Qeveria e Kosovës kohë më parë pati paralajmëruar se do të ketë targa provuese si shenjë reciprociteti për shtetin serb.

Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, pati thënë se në shtator do të kërkojnë nga pala serbe t’i largojnë nga aplikimi tabelat provuese “Proba” për qytetarët e Kosovës, në të kundërtën, do të aplikohen tabelat e njëjta për qytetarët e Serbisë.

Marrëveshjes për Policat e Sigurimeve është arritur më 24 qershor pas takimeve të mbajtura në Bruksel mes delegacionit kosovar dhe atij serb, e mbikëqyrur nga BE-ja.

Sipas kësaj marrëveshjeje qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë sigurimin prej 105 euro për një muaj apo 600 euro për një vit, por do të paguajnë policën e sigurimit 40 euro për një vit.