Një i Arrestuar për Terrorizëm në Han të Elezit

Policia e Kosovës ka vënë në pranga sot një të dyshuar (S.I.) për vepra penale të terrorizmit.

Operacioni i Policisë është kryer në një fshat të Hanit të Elezit dhe është realizuar pas hetimeve disamujore të ndërmarra nga Policia së Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Sektorin Kundër Terrorizmit, në kuadër të Divizionit të Hetimeve Gjenerale dhe operacioneve speciale të qarkut të Brescias, Itali.

Plani i përbashkët është koduar me emrin “Van Damme”, dhe ka përfshirë kontrolle në një lokacion në Kosovë, si dhe në tri lokacione tjera në Itali.

Policia thotë se gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dy armë zjarri, një revole dhe një pushkë e tipit karabinë, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera që mund të ndërlidhen me rastin.

“Ky operacion është një tregues se bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit si dhe çelës i suksesit në hetime më efektive, andaj Polica e Kosovës është e hapur për bashkëpunim edhe në të ardhmen me cilindo shtet në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave tjera të krimit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

“Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi publik, apelon tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve, propagandimeve dhe mashtrimeve të tilla për përfshirje në raste të terrorizmit, njëkohësisht për raste të kësaj natyre ta informojnë Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Foto: Ilustrim