Një Dëshmitar i Mbrojtur në Rastin Sekiraqa

Në gjykimin ku Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, detyrim dhe dhunim është duke dëshmuar një dëshmitar i mbrojtur.

Seanca është e mbyllur për publikun dhe mediet.

Dje në këtë gjykim dhe gjatë disa seancave të kaluara dëshmoi ish-polici Besnik Hasani.

Hasani është i dënuar me 25 vjet burg për shpërthimin në lokalin e Enver Sekiraqës. Ky shpërthim vrau dy persona e lëndoi shumë të tjerë, ndërsa ndodhi në vitin 2007.

Një proces gjyqësor është duke vazhduar për këtë shpërthim, ndërsa në të Enver Sekiraqa është palë e dëmtuar.

Shpërthimi ndodhi pas vrasjes së policit Triumf Riza në vitin 2007.

Kur dëshmoi për rastin e shpërthimit në nëntor e dhjetor të vitit të kaluar Hasani deklaroi se shpërthimi i vitit 2007 kishte ndodhur si hakmarrje ndaj Sekiraqës, ngase sipas Hasanit, grupi që kreu shpërthimin kishte informata se urdhri për vrasjen e ish-policit Riza dhe vrasësi i tij kishin dalë nga lokali në pronësi të Enver Sekiraqës.

Për vrasjen e Triumf Rizës Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg.