Merret Mendimi i Gjakovarëve për Projektligjin e Provimit të Maturës

Anëtarë të Komisionit për Arsim debatuan në Gjakovë me qytetarë të kësaj komune për Projektligjin e Provimit të Maturës.

Debati u zhvillua në sallën e asamblesë komunale, pasi Ministria e Arsimit ka kërkuar që për këtë projektligj të merret mendimi i qytetarëve dhe punonjësve të arsimit nëpër komuna.

Në të morën pjesë punonjës të arsimit dhe struktura komunale të kësaj fushe, bashkë me qytetarë të interesuar.

Deputetja Teuta Haxhiu, anëtare e këtij komisioni ua shpjegoi gjakovarëve arsyen e ardhjes nga Prishtina për Projektligjin e Provimit të Maturës.

“Ashtu siç jemi marrë vesh në komision, në çdo komunë kemi dashur të bëjmë debat me qytetarë në mënyrë që të marrim sugjerimet e tyre për ta bërë një ligj sa më të zbatueshëm dhe jo sa për të thënë të bëjmë ligj,” tha Haxhiu.

Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Arsim deklaroi se ua ka shpjeguar të pranishmëve që nxënësve të shkollave profesionale nëse duan të hyjnë në punë pas shkollës së mesme, duhet t’u mundësohet diploma pa test të maturës.

“Ne kemi kërku me një amandament të veçantë që do t’i shtohet këtij ligji që nxënësit të cilët janë të shkollave profesionale të kenë mundësi t’i marrin diplomat për shkollën profesionale që e kanë përfundu ndërsa ata që duan të shkojnë në studime duhet t’i nënshtrohen provimit të maturës,’’ tha Hasani.

Komisioni për Arsim kishte ardhur në këtë përfundim edhe më 1 korrik pas diskutimeve nëpër disa komuna për këtë projektligj.

Punonjësi i arsimit nga Gjakova Luan Shllaku tha se pragu i kalueshmërisë së testit të maturës duhet të hiqet.

“Pasi që jemi te diskutimet, sugjerimet, shumë nxansa, maturantë i brengosë se çka do të ndodhë me kalueshmërinë. A do të hiqet kalueshmëria apo jo. Mendoj se duhet të hiqet për shkak se kish me ndiku pozitivisht,” tha Shllaku.

Kur prezantoi këtë projektligj, edhe ministri i Arsimit Arsim Bajrami paralajmëroi heqjen e pragut prej 50 për qind të nevojshëm për kalimin e testit të maturës.

Por se çfarë do të ndodhë me këtë prag dhe cilat ndryshime do t’i bëhen projektligjit do të vendoset vetëm pas përfundimit të dëgjimeve publike për të dhe pas kalimit të procedurave në Kuvend.