Mediet si Aleate në Luftën Kundër Korrupsionit

Në një takim të organizuar sot nga UNDP-ja dhe UNODC-ja, zyra e OKB-së për luftimin e drogave dhe krimeve, u diskutua komunikimi me publikun dhe Ligji për Qasje në Dokumente Publike. Të pranishëm ishin zyrtarët për informim të gjykatave themelore të Kosovës dhe përfaqësues të BIRN-it.

Hapjen e këtij takimi e bëri Constantine Palicarsky eksperti që punoi gjatë me organizatat e OKB-së për zhvillim dhe kundër krimit. Ai tregoi se sa i dëmshëm është korupsioni për shoqërinë e një vendi.

Duke folur për mediet, Palicarsky tha se ato mund të jenë aleatë të fortë në luftën kundër korrupsionit, mirëpo të njëjtat edhe mund të luajnë rol negativ nëse pronari apo kryeredaktori i tyre është person politik dhe ndikon.

Në këtë takim foli edhe Faik Ispahiu, drejtor ekzekutiv i Internews Kosovës, partnerit të BIRN Kosovës, themelues i platformës antikorrupsion KALLXO.com dhe producent i emisioneve televizive “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”.

Ispahiu u fokusua te komunikimi i gjyqësorit me medie, qasja në dokumente publike dhe integriteti i  gjyqësorit.

Ai foli edhe për transmetimin direkt të seancave nga sallat e gjykimeve, qasjen e publikut në këto salla,  krijimin e lidhjeve te mirëbesimit mes gjyqtarëve dhe gazetarëve dhe trajnimin e gjyqtarëve në marrëdhënie me mediat dhe publikun.

Ajshe Qorraj zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor te Kosovës, deklaroi se pajtohet me të gjitha ato që i tha Ispahiu.

Qorraj tha se BIRN-i ka ndikuar që shumë nga gjykatat themelore në Kosovë të kenë zyrtarë për informim, të cilët ishin të pranishëm në këtë takim.

“Të gjitha gjanat qe ju si organizatë i keni qitur në letër, ne i kemi marrë dhe kemi bërë përpjekje qe t’i praktikojmë dhe na kanë hyrë në punë ,“ iu drejtua Qorraj Ispahiut.

BIRN-i monitoron gjykatat anembanë Kosovës me njerëzit e tij, ndërsa kjo organizatë e ka bërë traditë që çdo vit të publikojë raportin e monitorimit të gjykatave, ku jepen edhe rekomandime për ecjen përpara të gjyqësorit.

Qorraj më tutje kërkoi nga zyrtarët për informim të gjykatave të jenë në dispozicion të mediave dhe brenda suazave te ligjit t’u japin atyre informacionet që kërkojnë.

Ajo deklaroi se numri i kërkesave për qasje ne dokumente zyrtare drejtuar KGJK -së nuk është aq i madh sa flitet, ndërsa sqaroi se ky institucion mundohet që në afatin e paraparë ligjor këtyre kërkesave t’u kthejë përgjigje.

Takimi vazhdon edhe nesër, ndërsa pritet të diskutohet qasja në informata.