MAShT-i Shpall të Pafajshëm Shtatë Maturantë, Nesër i Nënshtrohen Testit

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT) pati identifikuar 67 maturantë të cilëve u është ndaluar t’u nënshtrohen pjesës së dytë të Provimit Shtetëror të Maturës. Mirëpo, pas shqyrtimit të ankesave MAShT-i ka shpallur 7 prej tyre të pafajshëm.

Këta maturantë, nesër nga ora 10:00 do të hyjnë në test.

Këtë e bëri të ditur për KALLXO.com Kryetari i Komisionit Qëndror Shtetëror të Maturës, Azem Guri.

“Prej 67 maturantëve që janë identifikuar si komunikues të rrjeteve sociale, nga ankesat që ata i kanë parashtruar Komisionit Qëndror Shtetëror të Maturës, mbi bazën e shqyrtimit të këtyre ankesave rezulton se 7 prej këtyre maturantëve nuk kanë qenë komunikues të rrjeteve sociale”, tha Guri.

Sipas Gurit, këta maturantë janë kryesisht nga komuna e Mitrovicës, Vushtrrisë, Ferizajt, Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit dhe Lipjanit.

Ai tha se gjatë identifikimit kanë vërejtur se profilet e tyre i ka keqpërdorur ndonjë një person tjetër, qoftë përmes ndonjë fotografie apo qoftë me emra.

“Ne jemi ardhë në përfundim që këta maturantë të mos dëmtohen, të mos e humbin afatin e qershorit, dhe do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të Provimit Shtetëror të Maturës të martën më 7 korrik”, shtoi Guri për KALLXO.com.

Sipas Azem Gurit, nesër testit do t’i nënshtrohen edhe Kaltrina Haziri, për të cilën Kallxo.com kishte raportuar se testi i saj ishte anuluar me arsyetimin se kishte përdorur telefonin.

Ky lajm e ka gëzuar Kaltrinën, me gjithë stresin që e ka para testit të nesërm.

“Nuk jam frikësuar shumë, e kam ditë që kam me dalë e pafajshme, se kam pasur besim te Zoti së pari”, rrëfen ajo.

Për më tepër, së bashku me këta 7 maturantët, testit do t’i nënshtrohen edhe disa maturantë të tjerë, ku disa prej tyre kanë qenë në gara ndërkombëtare si dhe një prej tyre ka qenë për trajtim mjekësor jashtë vendit.