Kuvendi Shtyn Debatin për Shtrenjtimin e Rrymës

Kuvendi i Kosovës e ka shtyrë sot pikën e rendit të ditës lidhur me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike.

Deputetja Salie Mustafa, në emër të këtij Komisioni kërkoi që kjo pikë e diskutimit të shtyhet me arsyetimin se raportin e kanë marrë vonë dhe se nuk kanë pasur mundësi ta shqyrtojnë në detaje.

Kërkesën e saj e përkrahën të gjitha grupet parlamentare, por me kusht që kjo të diskutohet në seancën e radhës dhe të mos shtyhet për më vonë.

Për më tepër, 52 organizata të shoqërisë civile patën nënshkruar një peticion me të cilin kanë kërkuar nga KEDS-i që ta anulojë vendimin për rritjen e çmimit të rrymës, ose të përballet me protesta dhe padëgjueshmëri në pagesën e faturave nga qytetarët.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, më 29 gusht të vitit 2014 vendosi që të pranojë kërkesën e kompanisë KEDS që lypi rritje të tarifave të energjisë elektrike prej 5.18 për qind, por refuzoi kërkesën e KEK-ut që kërkoi lejimin e shpenzimeve për të investuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi në Termocentralin “Kosova A”.

Ndër të tjera, peticioni kërkon të amandamentohet Ligji për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, i cili obligon ZRrE-në të ndryshojë rregullat për vendosjen e çmimeve.