Kurteshi Kërkon që Kosova e Shqipëria ta Ndihmojnë më Shumë Luginën e Preshevës

Deputeti i Vetëvendosjes Ismail Kurteshi, tha se përderisa Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, Serbia po synon ta bëjë kategori kushtetuese, ky shtet “po i diskriminon shqiptarët në Luginën e Preshevës”.

Kurteshi ka treguar se Komisioni Parlamentar i Arsimit gjatë vizitës një vizite që e kanë bërë kanë parë se shqiptarët e Luginës janë popullsia më e diskriminuar në Evropë.

“Shqiptarët e Luginës janë popullsia më e diskriminuar në Evropë. Mungesa e kuadrit të kualifikuar për shkak të mos njohjes së diplomave është problem i madh. Në Luginë nuk ka spitale. Në anën tjetër Serbia nuk e lejon hapjen e maternitetit, i cili është i ndërtuar por pritet vendimi që ai të fillojë punën”, u shpreh ai.

Sipas Kurteshit, banorët e Luginës që dalin jashtë për të punuar shlyhen nga evidenca e Serbisë, dhe më pas u hiqet edhe e drejta e votës.

“Në polici 70 për qind e të punësuarve janë serbë. Barazia në përdorimin e gjuhës është vetëm në letër. Investimi i vetëm në Luginë i Serbisë është vetëm hapja e bazave ushtarake që ushtrojnë presion mbi popullsinë atje”, u shpreh Kurteshi.

Ai tha se shqiptarët e Luginës kanë nevojë për ndihmë andaj Kurteshi propozoi që Shqipëria dhe Kosova t’u sigurojnë nxënësve shqiptarë në Preshevë Bujanoc e Medvegjë tekste falas, t’i bëjnë presion Serbisë që t’i nostrifikojnë diplomat e marra në Kosovë, dhe ta përkrahin themelimin e një universiteti publik në Preshevë.