Kalon Projektligji për Themelimin e Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronave

Ministri për Infrastrukturë, Lutfi Zharku, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka paraqitur para deputetëve Projektligjin për Themelimin e Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Sipas tij, nxjerrja e këtij Projektligji ka të bëjë me krahasimin e dokumenteve kadastrale mes atyre që i ka marrë Serbia gjatë luftës me ato që tash janë në Kosovë.

Zharku tha se kjo del si nevojë e marrëveshjes së vitit 2011 në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për kthimin e 12 milionë dokumenteve kadastrale kopje në Kosovë.

Kjo agjenci, si institucion i përkohshëm, ministri Zharku tha se, ndër të tjera, mundëson zgjidhjen e kontesteve pronësore.

Këtij projektligji në parim i dha mbështetje Grupi Parlamentar i PDK-së dhe ai i LDK-së, por nuk mori mbështetjen e AAK-së, LVV-së dhe Nismës.

Pas diskutimit të deputetëve, Projektligji u miratua më 50 vota pro, 25 kundër dhe 3 abstenime.