Isa Mustafa: Ky Buxhet Nuk e Nxjerr Kosovën nga Situata

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duke folur për rishikimin e buxhetit për vitin 2015 tha se ky është një buxhet i trashëguar dhe nuk kanë pasur mundësi dhe as kohë të fillojnë nga e para.

“E kemi pranuar sit ë tillë me disa ndryshime dhe qysh atëherë kemi konstatuar se pjesa dërmuese e këtij buxheti është dhe ka qenë e papërcaktuar sepse në masën më të madhe kanë qenë projektet e kontraktuara dhe detyrimet e krijuara”, tha kryeministri Mustafa.

Ai shpjegoi se këto detyrime janë bartur në buxhet dhe po ashtu, kanë qenë detyrimet edhe për shpenzime, për paga dhe mëditje dhe për mallra dhe shërbime, të cilat si të tilla janë pranuar bashkërisht dhe është votuar buxheti me shumicën e votave në Kuvend”, tha kryeministri Mustafa.

Kreu i ekzekutivit tha se tanimë janë duke bërë përpjekje që t’i bëjnë disa ndryshime dhe plotësime të buxhetit që do ti përshtaten nevojave por jo edhe ambicieve.

“Ne nuk do t’i plotësojmë të gjitha ambiciet tona zhvillimore me këtë, sepse ky buxhet nuk i plotëson këto ambicie, fjala është për 1.6 miliard euro të cilat nuk janë vetëm për investime kapitale, janë për mallra dhe shërbime, paga dhe mëditje, investime”, tha Mustafa.

Ai theksoi se kjo është një shumë e cila nuk e nxjerr Kosovën nga situata në të cilën ndodhet por është një shumë “në të cilën ne kemi bërë përpjekje ta ristrukturojmë në mënyrë që të jetë më e përshtatshme deri në fund të vitit”.

Kryeministri tha se për tu rritur ky buxhet duhet të rriten normat tatimore, ndryshimet në politika fiskale

“Në qoftë se tatimin si pjesëmarrje në GDP e rrisim nga 30% në 40% apo 50% por kemi problem se e varfërojmë xhepin e qytetarëve edhe të ekonomisë”, shtoi Mustafa.