Hoti: Kosova së Shpejti do të Hyjë në Kredi Ndërkombëtare

Ministri i financave në Republikën e Kosovës, Avdullah Hoti, tha se së shpejti Qeveria e Kosovës, do të hyjë në kredi ndërkombëtare.

Ai tha se këto kredi do të jenë në lidhje me zhvillimin e projekteve që do të çojnë në zhvillimin ekonomik.

“Qeveria do të hyjë në kredi ndërkombëtare vetëm për investime kapitale, dhe ju (deputetet) do të jeni ata që do ta aprovoni secilën kredi që qeveria e Kosovës hyn në të”, tha Hoti.

Ai tha se projektligji i dorëzuar sot për plotësim ndryshim të ligjit për buxhetin është i domosdoshëm.

“…ndryshimet janë substanciale, ne kemi arritur t’i kursejmë 149 milion euro… Unë e pranoj që ky është buxhet që nuk i përmbush nevojat, por është buxhet për aq sa kemi”, shpjegoi ministri.

Ndërsa për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklarata e tilla të ministrit Hoti, janë deklarata të përsëritura të ministrave para tij.

“Ministri tha se ky është një buxhet i mundësive dhe jo i nevojave, dhe në këtë mënyrë ai vetëm e citoi ish ministrat e më hershëm”, tha Kurti.

Ndërsa në lidhje me kreditë ndërkombëtare Kurti tha se nuk do t’i votojnë ato, pa pasur së pari listën e projekteve të dorëzuar nga qeveria.

“Ky është edhe problemi që njëherë po hymë në borxhe e mandej po e bini listën e projekteve”, tha Kurti.