Ekspertja i Qëndron Deklaratës në Rastin e Enver Sekiraqës

Pasi toksikologia Safete Gashi-Naka vazhdon të jetë e sigurt seTriumf Riza ishte i dehur kur u vra, gjykata do të kërkojë mendimin e Institutit të Forenzikës në Zagreb për këtë çështje.

Në gjykimin e Enver Sekiraqës dëshmoi sot përsëri toksikologia SafeteGashi-Naka.

Gashi-Naka është ftuar t’ia sqarojë trupit gjykues disa çështje që ai i ka të paqarta.

Në seancën e sotme prokurori ia shtroi vetëm një pyetje toksikologes. I tha “kur ju e bëni një kalkulim i cili mbështet aktivitetin e supozuar të enzimeve, nuk jeni plotësisht e bindur në të gjeturat e tuaja?”.

Ekspertja Gashi-Naka u përgjigj “Jo plotësisht jam e sigurt dhe qëndroj pas asaj, pas secilës fjalë të cilën e kam thënë”.

Atëherë deklaroi se ditën e vrasjes më 30 gusht 2007 ish-polici Triumf Riza kishte alkool në gjak në sasinë 2.66 miligramë për litër, një gjë që e pati cilësuar dehje të rëndë.

Pas përgjigjes së prerë të Gashi-nakës për ekspertizën e saj, kryetari i trupit gjykues tregoi se çështjen e dehjes ose jo të ish-policit të vrarë mund ta sqarojnë vetëm institutet e forenzikës.

“Ky problem duhet të rishqyrtohet nga paneli i ekspertëve dhe organi i vetëm për ta bërë këtë është instituti i pavarur i forenzikës dhe është e ditur mirë që në Kosovë nuk kemi një institut të forenzikës dhe për këtë arsyeje ne do ta kërkojmë mendimin e Institutit të Forenzikës së Zagrebit,” tha kryetari i trupit gjykues .

Enver Sekiraqa në këët proces gjyqësor po akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

12:02

Përsëri Toksikologia Safete Gashi në Gjykimin e Sekiraqës

Në gjykimin e Enver Sekiraqës është duke dëshmuar sot toksikologia Safete Gashi-Naka.

Gashi-Naka është ftuar t’ia sqarojë trupit gjykues disa çështje që ai i ka të paqarta.

Kjo eksperte e toksikologjisë dëshmoi në gjykimin e Enver Sekiraqës edhe më 6 nëntor.

Atëherë deklaroi se ditën e vrasjes më 30 gusht 2007 ish-polici Triumf Riza kishte alkool në gjak në sasinë 2.66 miligramë për litër, një gjë që e pati cilësuar dehje të rëndë.

Në këtë proces gjyqësor, Enver Sekiraqa është duke u gjykuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.