Çerdhet e Prishtinës i Dorëzohen Komunës për Pushimet

Sindikatat në fillim shfaqën tone rebelimi por më pas u zbythën edhe pse disa prej edukatoreve kishin planifikuar pushime.

Drejtoria e Arsimit të komunës së Prishtinës, në maj të këtij viti kishte marrë vendim që të gjitha çerdhet publike të shkojnë në pushim vjetor prej 13 korrikut deri më 13 gusht.

Mirëpo më 3 korrik, Drejtoria e Arsimit, kishte shfuqizuar këtë vendim, duke vendosur që pushimi vjetor të filloj me 27 korrik deri më 7 gusht.

Të gjitha këto ndryshime në këtë vendim lidhur me pushimin vjetor të çerdheve publike të Prishtinës kanë shfaqur pakënaqësi tek edukatoret e këtyre çerdheve, pasi që ato tashmë kanë planifikuar pushimet e tyre.

Pavarësisht kësaj, sindikatat e këtyre çerdheve përkundër zërave kundërshtues, sot morën vendim që të respektohet vendimi i Komunës së Prishtinës për pushimin vjetor të tyre.

Në një intervistë për Faik Ispahiu te Kallxo LIVE, Edona Berisha tha se do ta respektojnë vendimin e komunës, që çerdhet të dalin në punë të hënën me 13 korrik.

Sipas Berishës, ndryshimet që janë bërë se kur do të pushohet janë bërë për një kohë të shkurtër.

“Ka qenë një kohë shumë e shkurtë, domethënë, nuk po i vjen as një javë ditë, vetëm pesë ditë lajmërim, ku të gjitha punëtorët kanë bërë planifikimet e tyre, ka nda mjetet e tyre që t’i pushimet, mirëpo ky vendim i dytë ka qenë dashtë të merret shumë më herët”, thotë ajo për KALLXO.com.

Berisha shtoi se është dashur të jenë të njoftuar me kohë se kur do të jetë pushimi, meqë punëtorët tashmë i kanë planifikuar pushimet.

“Nuk jam kundër që të ndahen pushimet, çdo gjë është në rregull por ky vendim është dashur që të jetë vendimi i 20 majit, të përgatitemi edhe ne, mos të merret një vendim tap-tap, shumë i shpejtë”, thekson Berisha.

Pavarësisht kësaj, çerdhet publike të Prishtinës do të punojnë të hënën.