Avokati i Ri i Popullit Zotohet për Betejë në Dobi të Qytetarëve

Avokati i sapozgjedhur i popullit Hilmi Jashari mori sot mandatin nga paraardhësi i tij Sami Kurteshi.

Gjatë marrjes së detyrës Jashari premtoi angazhim të pandërprerë për qytetarët.

“Sigurisht se Avokati i Popullit duhet  të jetë në betejë, mirëpo gjithmonë me tendencën dhe qëllimin më të mirë që interesi qytetar të realizohet,” tha Jashari.

Ai shtoi se për këto beteja e obligon ligji.

Avokati i deritashëm Sami Kurteshi tha se Jasharit po ia lë një institucion i cili është digjitalizuar dhe që ka krijuar raporte të mira me shoqërinë civile.

“E lëmë një institucion që është anëtarësuar në organizatat kryesore të ombudsmanëve qoftë regjionale, qoftë universale,”  tha Kurteshi.

Hilmi Jashari u zgjodh Avokat i Popullit nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 2 korrikut. Ai mori 63 vota të deputetëve.