Avokatët e të Dyshuarve për Terrorizëm Kundërshtojnë Paraburgimin

Pas caktimit të masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarve për përgatitje të sulmeve terroriste, avokatët mbrojtës të tyre i janë drejtuar Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar këtë vendim.

Avokati mbrojtës i Milazim Haxhisë, Bajram Tmava e konfirmoi për KALLXO.com se do të ushtrojë të drejtën e ankesës ndaj vendimit për caktimin e paraburgimit.

Ushtrimin e ankesës e konfirmoi edhe avokatja e Enis Latifit, Sabrie Jashari.

Edhe avokatët tjerë të këtij rasti Selman Bogiqi, Halil Palaj, dhe Sabrije Krasniqi që mbrojnë të akuzuarit tjerë në këtë rast, konfirmuan për KALLXO.com se do të bëjnë ankesë.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës ditën e djeshme u kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Besnik Latifit, Enis Latifit, Milazim Haxhisë, Gazmend Halitit dhe Fehmi Musës.

Besnik Latifii, Enis Latifii, Milazim Haxhia, Gazmend Haliti dhe Fehmi Musa, ishin arrestuar në mesnatën e 11 korrikut, në afërsi të liqenit të Badovcit, nën dyshimin se ishin duke përgatitur ndonjë akt terrorist tek diga e liqenit”, thuhej në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë së Prokurorisë.