Arrestohen 4 të Dyshuar për Vjedhje në Shtëpitë e Mërgimtarëve

Katër persona janë arrestuar nga policia në Suharekë si të dyshuar për depërtim të dhunshëm dhe vjedhje në shtëpitë e mërgimtarëve.

Policia e Kosovës njoftoi se puna e hetuesve të Stacionit Policor në Suharekë u kurorëzua të shtunën me identifikimin ekatër personave të dyshuar që në bashkëveprim kanë thyer shtëpi banimi të bashkatdhetarëve që ndodhen në kurbet.

Nga shtëpitë e thyera ata dyshohen se kanë vjedhur gjësende të ndryshme, kryesisht të vlefshme.

“Fshatrat më të goditura nga ky grup hajdutësh kanë qenë: Dubrava, Savrova, Bukoshi, Mushtishti, Budakova, Sopia, Shiroka dhe Topliçani,” tha zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Ai tha se pas intervistave me të dyshuarit, është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që D. Gashi dhe Y. Gashi të ndalen nën masën e arrestit, ndërsa dy personat tjerë janë lënë të mbrohen në gjendje të lirë.