AKK: Blerim Shala Nuk Gjendet në Konflikt Interesi

Agjencioni Kundër Korrupsion ka mbyllur rastin për deputetin e Kuvendit të Kosovës Blerim Shala, për shkak se nuk ekziston konflikti i interesit në ushtrimin e detyrës si deputet dhe njëkohësisht Koordinator i Qeverisë së Republikës së Kosovës për bisedimet me Serbinë.

Vendimi mbi këtë çështje është marrë nga Agjencia Kundër Korrupsionit më 14 korrik 2015.

Sipas vendimit të AKK-së zyrtari i lartë Blerim Shala fillimisht është njoftuar nga AKK-ja me një shkresë zyrtare për fillimin e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit. Më pas është caktuar një takim në mes të këtij zyrtari dhe AKK-së.

Në arsyetimin e këtij vendimi AKK-ja shkruan se pas analizimit të gjendjes dhe shqyrtimit të fakteve në dispozicion AKK-ja nuk ka gjetur prova të mjaftueshme që vërtetojnë gjendjen e konfliktit të interesit dhe mos pajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik, kjo për faktin se ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik nuk përmban dispozita kufizuese lidhur me çështjen e ushtrimit të lartcekura.

Por kjo agjenci nuk përjashton mundësinë që ky rast të rihapet nëse paraqiten rrethana të reja.