Pallati i Drejtësisë

Pa Ujë nga Dje Pallati i Drejtësisë

Pallati i Drejtësisë, investimi mbi 30 milionësh shumica prej tyre nga fonde të BE-së, ka mbetur nga dje pa ujë.

Arjeta Mjeku, zëdhënësja e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” e konfirmoi mungesën e ujit në pallat kur foli për KALLXO.com, por tha se për këtë mungesë nuk është fajtor ujësjellësi.

“Një investitor qe është duke u marre me ndërtimin e banesave në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, ditën e djeshme ka qene duke punuar dhe ka dëmtuar gypin i cili furnizon me ujë të pijshëm këtë pallat,” tha Mjeku.

Ajo bëri të ditur se ata që e prishën u munduan ta rregullojnë gypin.

“Këta investitorë kanë tentuar gjatë ditës së djeshme që ta sanojnë këtë gyp qe vetë e kanë dëmtuar, por ka qene e pamundur nga ana e tyre, edhe pse ka qene përgjegjësi e tyre,” tha Mjeku.

Ajo tregoi se ekipet e ujësjellësit janë në terren për ta rregulluar prishjen.

“Gjatë ditës së sotme, ekipet e Ujësjellësit të Prishtinës janë në vendin e ngjarjes për ta sanuar atë gyp, edhe pse nuk është absolutisht përgjegjësi e jona, por këtë po e bëjmë për hir te qytetarëve të asaj zone dhe punonjësve të këtij pallati,” tha Mjeku.

Për mungesën e ujit në pallat KALLXO.com u ka dërguar pyetje zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi dhe zëdhënësit të Ministrisë së Administratës Publike zeqir Bekolli, por ende nuk ka marrë përgjigje nga ta.

Mungesa e ujit prej ditës së djeshme nuk është problemi i vetëm në pallat. KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për depërtim uji në këtë objekt, rënie pllakash, por edhe mosfunksionim dhe ngecje të njerëzve nëpër ashensorë.

Shkrimet e KALLXO.com për problemet në Pallatin e Drejtësisë mund t’i lexoni këtu.