Në Pallatin e Drejtësisë Sërish Prishet Ashensori

 

Telashet teknike në Pallatin e Drejtësisë duket se nuk do të ndalen asnjëherë. Edhe sot është shfaqur një i tillë. Sërish është prishur një ashensor.

Mirëpo, për dallim nga herë të tjera, në ashensor sot nuk është ngujuar askush. Përgjegjësit kishin vendosur një karrige para derës së ashensorit si shenjë se ai është jashtë funksionit.

Punonjësit e sigurimit fizik u treguan gazetarëve dhe personave të tjerë se lifti është prishur dhe se nuk mund të përdorej.

Prishja sot ka ndodhur në objektin D, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore.

Përndryshe, me telashe të tilla Pallati është përballur që nga koha kur ka nisur të shfrytëzohej nga organet e drejtësisë, një vit më parë.

KALLXO.com ka raportuar për disa prej tyre. Më 27 tetor të vitit të kaluar një gjykatëse e Gjykatës së Apelit ishte ngujuar për rreth gjysmë ore në ashensor. Ajo është nxjerrë nga aty vetëm pas ndërhyrjes së ekipit të zjarrfikësve,

http://kallxo.com/gjykatesja-ngujohet-ne-ashensor-te-pallatit-te-drejtesise/

 

Në situatë të ngjashme ka qenë edhe një tjetër gjykatës i Gjykatës së Apelit. Edhe ai ishte ngujuar për disa momente në ashensor, deri kur nga aty e kanë nxjerrë ekipet e mirëmbajtjes së objektit. Rasti ka ndodhur më 20 mars 2015.

http://kallxo.com/nje-gjyqtar-ngujohet-ne-ashensorin-e-pallatit-te-drejtesise/

Fati i keq me ashensorin i kishte shoqëruar edhe disa punonjëse të tjera të Gjykatës së Apelit, më 15 prill të vitit të kaluar. Makifete Saliuka dhe Sanije Nebihu dhe një tjetër kishin pësuar lëndime kur lifti në të cilin kishin hipur ishte “këputur” dhe kishte rënë nga kati i dytë në të parin.

http://kallxo.com/punetoret-e-apelit-tregojne-si-i-leshoi-ashensori/

 

Pjesa ku është e vendosur Gjykata e Apelit është përballur edhe me probleme të tjera. Më 7 korrik të vitit të kaluar kanë rënë pllaka nga tavani dhe ka pasur edhe rrjedhje uji.

http://kallxo.com/bien-pllaka-te-tavanit-ne-pallatin-e-drejtesise/

Pallati i Drejtësisë është një objekt ndërtimi i të cilit ka kushtuar 30 milionë euro. Prej kësaj shume, 26 milionë i ka dhënë Komisioni Evropian.