Prishtinë, Komuna demanton OJQ-në ‘Qëndro aktiv’ për ashensorin për persona me aftësi të kufizuara

Organizata joqeveritare “Qëndro aktiv” ka pretenduar sot se ashensori që u ndihmon qytetarëve me aftësi të kufizuara të kenë qasje në Komunën e Prishtinës është jofunksional.

OJQ ka publikuar disa foto nga dhjetori i vitit 2020 kur ishte bërë përurimi i tij.

“Ky ashensor nuk funksionon. A ju kujtohet projekti “madhështor” për ashensor në Komunë të Prishtinës? Kur komuna dhe OJQ-të bënin filma dhe biznes me kartela të liftit”, kanë shkruar në rrjetin social Facebook OJQ ‘Qëndro aktiv’.

Kurse, Miranda Mullafazliu nga zyra për informim në Komunë ka thënë për KALLXO.com se ashensori punon dhe se ajo që ka thënë OJQ ‘Qëndro aktiv’ mund të ketë qenë prishje e momentit.

“Po, ashensori është funksional, nuk ka shumë kohë që është përuruar. Ajo që paska thënë ajo organizatë joqeveritare mund të ketë qenë ndonjë prishje e momentit,” ka thënë Mullafazliu.

Ky ashensor ishte futur në funksion para dy muajve dhe i ka kushtuar Komunës mbi 52 mijë euro.