Operatori telefonik serb nuk përdor kodin shtetëror të Kosovës
Operatori i përkohshëm telefonik serb nuk po përfill marrëveshjen ndërshtetërore të Kosovës me Serbinë sa i përket telefonisë.
Me marrëveshjen e arritur më 13 nëntor të vitit 2016 në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, u vendos që Kosovës t’i takojë kodi shtetëror telefonik me kusht që në periudhën e tranzicionit drejt këtij kodi në Kosovë të funksionojë një kompani e përkohshme e quajtur Mts D.O.O
Më 15 dhjetor të vitit 2016, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ndau për Kosovën kodin +383 si kod shtetëror i cili pritet të implementohet tërësisht këtë vit.
Megjithatë, operatori që është në pronësi të Qeverisë së Serbisë nuk ka filluar tranzicionin në kodin shtetëror të Kosovës.
Kështu u bë e ditur nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare brenda vendimit për shtyrje të afatit të implementimit të kodit shtetëror.
“Ndërmarrja mts D.O.O edhe pse është në proces të përmbushjes së detyrimeve rregullatore dhe atyre të përcaktuara me marrëveshjen e telekomunikacionit, ajo ende nuk ka funksionalizuar kodin 383”, thuhet në vendim.
Kreshnik Gashi, Drejtor i ARKEP paralajmëroi dënime ndaj operatorëve që nuk e respektojnë afatin për implementimin e kodit shtetëor.
Në kuadër të marrëveshjes shtetërore, ARKEP i pati ndarë 60 mijë numra për operatorin serb vitin e kaluar.