Një Vit Burgim me Kusht Për 82 Vjeçarin

I dënuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 82 vjeçari Bajram Muriqi nuk do shkojë në burg nëse gjatë dy vjetëve të ardhshëm nuk do kryejë ndonjë vepër tjetër penale.

Vendimi për dënimin me kusht të Muriqit është marrë sot nga Gjykate e Pejës pasi i njëjti ka pranuar fajësinë para  gjykatës.

Sipas prokurorisë në shtator të 2014-ës Bajram Muriqi kishte zbrazur një karikator të kallashnikovit në drejtim të Blerim Krasniqit dhe Esad Kelmendit.

Fatmirësisht dy viktimat kishin shpëtuar pa lëndime, ndërsa sulmi ndaj tyre ishte kryer në momentin kur ata po pushonin në livadhin e të akuzuarit.

Përpos dënimit me kusht, Muriqi sipas vendimit të gjykatës do  paguajë edhe dënimin me gjobë prej 800 eurosh dhe një shumë prej 150 eurosh për shpenzimet e gjykatës.

Vendimi i sotëm është i treti me radhë në çështjen Muriqi.

Ai ishte dënuar nga gjykata e Pejës me një vit burgim mirëpo çështja ishte kthyer në rigjykim me vendim të Gjykatës së Apelit.

http://kallxo.com/nje-vit-burgim-81-vjecarit-per-vrasje-ne-tentative/

Në nisje të procesit të sotëm gjyqësor Prokuroria e Pejës kishte pretenduar se Muriqi kishte kryer veprën penale të tentim-vrasjes, mirëpo në seancën e sotme prokurori Agron Kurtmehaj ka ndërruar mendimin duke i ricilësuar veprimet e Muriqit si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Muriqi akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje, një akuzë që i mbeti ashtu siç ishte.

Veprimi i prokurorit e ka shtyrë Muriqin që të pranojë fajësinë

“Atë rikualifikim ne e pranuam dhe pas konsultimit që e bëmë me të mbrojturin tim, i mbrojturi i im i pranoi të gjitha ato veprime që i ka bërë për këtë vepre penale të rikualifikuar,” deklaroi avokati i Muriqit,  Gëzim Kollçaku.