Protesta në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

'Ngritja e Zërit': Dëmet e Luftës të Diskutohen në Bruksel

Anëtarët e shoqatës “Ngritja e Zërit” me bazë në Skenderaj protestuan sot para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar që pjesë e dialogut Kosovë-Serbi të jetë edhe dëmshpërblimi i dëmeve materiale dhe morale të luftës.

Jahir Bejta, kryetar i kësaj shoqate  bëri thirrje që të merren parasysh dhe të procedohen paditë që ata i kanë dërguar në gjykata për këtë çështje.

“Kemi dërguar më se 1000 padi individuale për kompensime të dëmeve të dërguara në gjykatat themelore të Kosovës e deri te Gjykata Kushtetuese e Kosovës,” tha Bejta.

Ndërkaq, një tjetër anëtar i kësaj shoqate, Haki Kasumi, vlerësoi se drejtësia ndërkombëtare po tregohet e padrejtë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

protesta

“Fatkeqësisht në Kosovë, drejtësia është duke fjetur dhe atë unë konsideroj se drejtësia ndërkombëtare ndaj shqiptarëve ka qëndrim injorues dhe jo të drejtë,” tha Kasumi.

Ndër kërkesat e shkruara që kjo shoqatë ia drejtoi Kuvendit të Kosovës ishte edhe institucionalizimi i saj, pasi sipas anëtarëve ajo po vuan nga mungesa e përkrahjes financiare.